Dëmtohet ambasada shqiptare në Kiev, ministria e Jashtme thërret diplomatin rus në Tiranë pas sulmeve të Moskës

Sulmet me raketa balistike dhe hipersonike që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e kësaj të premte, kanë dëmtuar edhe ndërtesat ku ndodhen ambasadat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Raketat nuk kishin shënjestër ndërtesat diplomatike por si pasojë e shpërthimeve u dëmtua fasada e jashtme dhe disa ambjente të brendshme si dhe u vu në rrezik jeta e personelit diplomatik.
Fatmirësisht bëhet fjalë vetëm për dëme materiale.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, tha ministria e Jashtme në një deklaratë.
Burime bëjnë me dije se në ministrinë e Punëve të Jashtme është thirrur ambasadori rus në vendin tonë, të cilit i është shprehur protesta lidhur me ngjarjen.
Përveç ambasadës shqiptare dëmtime pati edhe në disa ndërtea diplomatike të vendeve të tjera.
Përveç kryeqytetit Kiev, raketa u lëshuan edhe në qytete të tjera të Ukrainës.
Sulmet me raketa “kinzhal” dhe “iskander” erdhën vetëm pak orë pasi presidenti Vladimir putin sfidoi SHBA-në në një duel raketor mbi hapësirën e Ukrainës./vizionplus.tv