E Diel, 1 Nëntor 2026

Denaj: 50% grant fermerëve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës

Fermerët që zotërojnë ferma bujqësore apo blegtorale kanë tashmë mundësinë të përfitojnë 50% grant për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës, në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bën të ditur se, kjo mbështetje synon të ul kostot dhe kohën e prodhimit, të rrisë efikasitetin dhe cilësinë e produkteve dhe të
forcojë konkurrueshmërinë e fermerëve në treg.

Denaj thekson se “Skema Kombëtare e Investimeve 2025, ofron mbështetje financiare deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore dhe jo më shumë se 5 milionë lekë për subjekt”.

Ministrja vuri në dukje se për më shumë financim, fermerët mund të kombinojnë grantin me Kredi të Butë me interes vetëm 2% dhe garancinë sovrane që mbulon 70% të kolateralit.

Afati i aplikimit është deri më 30 shtator 2025.

Ky program përfshin gjithsej 9 masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor, duke hapur rrugën për një bujqësi më moderne, produktive dhe konkurruese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›