Dendias mesazh Shqipërisë: Duhet të respektojë legjislacionin evropian

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Denidas i ka dërguar një mesazh Shqipërisë, duke i kërkuar respektimin e legjislacionit evropian. Nga Janina, ku ishte i pranishëm për 111-vjetorin e çlirimit të qytetit, Dendias tha se Greqia mbështet “fort” perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por, duke iu drejtuar vendit tonë, shtoi se nevojitet respektimi i akteve ligjore qe burojnë nga BE.
“Greqia është një vend fort në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. E kam fjalën edhe për Shqipërinë fqinje, e cila, me gjithë përpjekjen e saj për t’iu bashkuar familjes europiane, duhet të ketë edhe nevojën për të respektuar legjislacionin evropian”, u shpreh ai.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë u tensionuan jo pak, pas arrestimit të Fredi Belerit, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, i akuzuar për blerje votash. Vazhdimisht, Greqia ka kërkuar lirimin e Belerit dhe betimin e tij si kryebashkiak të Himarës, duke e konsideruar mbajtjen e tij në qeli si veprim që bie ndesh me vlerat evropiane.
/rtsh.al/