E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet vajza greke, akuzoi për shfrytëzim prostitucioni dy shqiptarë

Tiranë- Një shtetase greke është shpallur në mungesë fajtore për kallzim të rremë dhe është dënuar në mungesë me nëntë muaj burgim.

Natali Kyrkala, banuese në Evosmos, Selanik, është gjykuar në gjykatën penale të kryeqytetit dhe megjithë përpjekjet e togave të zeza për ta njoftuar nëpërmjet një letërporosie, autoritetet greke nuk kanë mundur ta gjejnë 24-vjeçaren e cila sipas gjykatës është larguar në adresë të panjohur.

Gjykata pohon se shtetasja greke është njohur në shtetin grek me disa shtetas shqiptarë. Në nëntor 2010 vajza është paraqitur në policinë e Tiranës duke kryer kallzim penal ndaj Agron dhe Lekë Picaku, me pretendimin se është shfrytëzuar prej tyre si prostitutë.

Vajza ka dhënë detaje në kallzimin e saj, kohën e ardhjes në Shqipëri, personat që e kanë shoqëruar, qëndrimin në qytetin e Rrëshenit, dhunën e pësuar sipas saj dhe shfrytëzimin. Por ndërsa pas këtij kallzimi prokuroria e krimeve të rënda ka pushuar hetimet ndaj tre shtetasve shqiptarë nën akuzë për veprën penale të trafikimit të femrave, i njëjti organ i hetimit ka konstatuar se asnjë nga rrethanat në kallzimin e vajzës nuk qëndronte dhe se ajo kishte kryer kallzim të rremë.

Konkretisht gjykata shprehet:

“Nga procesverbali kallëzimit të krimit datë 07.11.2011 si edhe nga procesverbalet e deklarimeve të të pandehurës me cilësinë e dëshmitarit në datat 18.11.2010, 15.04.2011 dhe 23.06.2011 rezulton e provuar se e pandehura Natali Kyrkala ka dhënë spiegime të detajuara me data, vende, numra telefoni, emra konkretë, etj duke pretenduar se është dhunuar dhe shfrytëzuar si prostitutë nga të kallëzuarit dhe familjarët e tyre.

-                         Nga procesverbali i datë 14.07.2011 i deklarimeve të të pandehurës ku rezulton se ajo e ka pranuar se deklarimet e saj kanë qenë të rreme. ”

Sipas gjykatës e pandehura ka paraqitur kallzimin me dashje duke akuzuar persona konkretë në një kohë që asnjë nga të dhënat e saj nuk ishte i vërtetë, sipas gjykatës vajza kishte konflikte personale me njërin prej tyre e për këtë ka sajuar rrethanat për t’i dëmtuar këta shtetas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›