“Dënojmë dhunën ndaj studentëve”- Mjekët i bashkohen protestës, Ermal Pashaj: Kryeministri Rama të japë dorëheqjen si akt i marrjes së përgjegjësisë politike për krizën! Të krijohet një qeveri tranzitore
Mjekët i janë bashkuar protestës së studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama. Mjeku Ermal Pashaj, teksa lexoi një deklaratë të përbashkët nga nënshkruesit, theksoi se dënojnë dhunën e ushtruar gjatë protestës që nisi një javë më parë.
Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen si akt i parë i përgjegjësisë për krizën që ka përfshirë vendin dhe më pas krijimin e një qeverie tranzitore.
“Ne nënshkruesit e kësaj deklarate, mjek, stomatologë, farmacitë dhe punonjës të tjerë, i bashkohemi protestës së studentëve në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë, misioni ynë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin dhe lehtësuar vuajtjen na ngarkon me përgjegjësinë të reagojmë kur cenohet integriteti dhe dinjiteti njerëzor. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë dhunës ndaj të rinjve dhe cenimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore.
Arsimimi cilësor, mundësitë e ndershme dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve. Në kushtet e krijuara për mbrojtjen e jetës, kërkojmë veprime konkrete të menjëhershme. Ky grupim kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si akt të marrjes si përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike që të mundësojë daljen paqësore nga kjo situatë.
Funksionimin e institucioneve dhe rikthimin e besimit qytetar dhe respektimin e vullnetit të tyre. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe atyre që janë angazhuar për tu dhënë ndihmën e parë të lënduarve.”, tha Ermal Pashaj.