E Enjte, 5 Nëntor 2026

Depozitat bankare gjatë 2023-shit, rritje prej 5,7 %

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Totali i depozitave në sistemin bankar për fundin e vitit 2023 ishte 1,605 miliardë lekë me një rritje vjetore të tyre prej 5.7 %.

Kreu i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Genc Mamani paraqiti në seancën plenare të Kuvendit raportin për vitin 2023.

Ai theksoi se, në fund të vitit 2023, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1,511.2 miliardë  lekë, duke përfaqësuar 94% të totalit të depozitave. Ndërsa, totali i depozitave në shkk shënoi 10.9 miliardë lekë, nga 10.3 miliardë lekë që ishte në 2022, me një rritje vjetore 6.2%.

“Fondet e sigurimit të depozitave në banka dhe në shoqëritë e kursim-kreditit kanë pasur një rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2023. Të ardhurat kryesore që kontribuojnë në rritjen e këtyre fondeve janë të ardhurat nga primi i sigurimit dhe të ardhurat nga administrimi i mjeteve financiare. Në 31 dhjetor 2023, vlera kontabël e fondit të sigurimit të depozitave në banka, është 63.55 mld lekë. Në krahasim me një vit më parë ky fond është rritur me rreth 5.6 mld lekë ose 9.68%”, tha Mamani.

Kreu i ASD vuri në dukje se, përgjatë vitit 2023 Agjencia i ka përqendruar përpjekjet e saj në drejtim të realizimit dhe përmbushjes së rekomandimeve të rezolutës të Kuvendit të Shqipërisë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2022”.

“Angazhimi profesional i strukturave të ASD-së dhe bashkëpunimi efikas me autoritetet rregullatore, anëtarët e skemës dhe partnerët ndërkombëtarë ka garantuar dhe bërë të mundur që rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë të realizohen me sukses”, tha ai.

Gjatë vitit 2023, ASD ka siguruar depozitat e vendosura nga depozituesit në 11 banka dhe 9 shoqëri kursim krediti (shkk).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›