Deputetet socialiste: T’i kërkohet falje publike këshilltares së lënduar në Kuvend, hetim penal ndaj Shehajt

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Gratë dhe vajzat deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dënuan me forcë incidentin e ndodhur në Kuvend, ku sipas tyre deputeti Agron Shehaj mori me forcë një dokument të klasifikuar dhe u largua nga ambientet e institucionit, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, gjatë përpjekjes për ta ndaluar, u rrëzua dhe mbeti e lënduar.
Në deklaratën e tyre, deputetet socialiste shprehen se punonjësja e administratës ndodhet e shtruar në spital dhe theksojnë se Shehaj nuk u ndal për t’i dhënë ndihmë.
Sipas deklaratës, në përpjekje për ta ndaluar dhe për të kryer detyrën e saj, një këshilltare e Kuvendit, një grua në vendin e saj të punës e ndoqi pas, u rrëzua nga shkallët, mbeti e lënduar dhe sot ndodhet e shtruar në spital.
“Deputeti Shehaj as nuk u ndal, as nuk u kthye, as nuk i dha ndihmë. E la përtokë dhe iku”, thuhet në deklaratë ku theksohet se ky është momenti më i rëndë i kësaj ngjarjeje.
“Sepse bëhet fjalë për një grua, një punonjëse të administratës së Kuvendit, e cila po zbatonte ligjin dhe po kryente me korrektësi detyrën për të cilën ishte ngarkuar”, nënvizoi deklarata.
“Puna e administratës së Kuvendit, kryesisht e mbajtur mbi shpatullat e grave nuk është “pengesë” për politikanët populistë. Këto gra janë kolonat që mbajnë institucionin. Kush ngre dorë ose përdor forcën ndaj tyre, ngre dorë ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Një deputet që lë një grua përtokë dhe nuk kthehet, i detyrohet asaj publikisht një falje. Pa kushte. Pa “por”. Pa spote në televizion”, vijon deklarata.
Sipas deputeteve të PS-së, dëmtimi i saj nuk do të kalojë si një “detaj” në kronikën e ditës.
“Kërkojmë falje publike ndaj këshilltares. Kërkojmë masë disiplinore dhe hetim penal, siç ka nisur tashmë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Dhe, mbi të gjitha, kërkojmë që në Kuvendin e Shqipërisë të mos ketë kurrë më një burrë që ecën përpara duke lënë një grua përtokë”, shkruajnë deputetet e PS-së.
/m.q/j.p/