“Deputeti që Duam”, Rama: Përzgjedhim më të mirët si kandidatë në zgjedhjet e 2025-ës

TIRANË, 9 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim të hapur me grupin e parë të aplikantëve në platformën digjitale “Deputeti që duam”.
Në takimin e zhvilluar në selinë e PS-së, Rama tha se ky takim shërben si një mirëseardhje inkurajuese dhe ftesë për të gjithë të tjerët që dëshirojnë të aplikojnë në këtë platformë.
“Plaforma nuk është një instrument që ne e përdorim për herë të parë, por për herë të parë ne e kemi vendosur në qendër të një procesi që ndryshe nga hera e parë fillon thuajse 1 vit para zgjedhjeve apo 9 muaj para se të regjistrohen kandidatët, që do të jenë pjesë e skuadrës përfaqësuese të PS-së”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se avantazhi i aplikantëve që aplikojnë më parë në këtë platformë është vetëm koha që kanë më shumë në dispozicion për të treguar se sa janë në gjendje të jenë një vlerë e shtuar në skuadrën përfaqësuese të PS-së.
“Këtë nuk e bën mosha më e re, nuk e bën as fakti që ke dëshirë apo as fakti që mund të dish të flasësh bukur apo mund të kesh qenë më parë në rreshtin më të gjerë të PS-së. As lidhjet që mund të kesh me PS-në, sepse të gjitha këto janë krejtësisht të pamjaftueshme. Vlerë të shtuar të bën çfarë ti je në gjendje të demostrosh duke treguar se je një kandidat që i duhesh skuadrës përfaqësuese të PS-së, dhe ta demostrosh këtë çdo ditë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se ekipi që po merret me të gjithë procesin e platformës janë duke përgatitur edhe një udhërrëfyes me sugjerime që pastaj aplikantët do t’i ndjekin sipas dëshirës.
Äskush nuk do t’ju vijë pas për t’ju thënë pse bëre apo nuk bëre këtë për tju mësuar se si bëhet kjo. Ne do t’ju ndjekim me sy në distancë për të parë se si ju promovoni kandidaturën tuaj duke fuqizuar personin tuaj publik që sot është një person publik i panjohur dhe që nesër kur të vijë momenti i përzgjedhjes duhet të jetë një person publik i njohur në komunitetin e tij, në një rreth të caktuar profesionistësh, në rrjetet sociale, apo për një grup të caktuar njerëzish. Natyrisht një individ që ka provat se pas tij ka zgjedhës që do të zgjedhin ta mbështesin dhe kështu të mbështesin PS-në”, shtoi Rama.
1 nga 8/a.f/