E Diel, 1 Nëntor 2026

Deri në 2030, 20% e rrugëve në Shqipëri me pagesë, tarifimi elektronik synon modernizimin

Qeveria shqiptare po planifikon që deri në vitin 2030 rreth 20 për qind e rrjetit rrugor në vend të përfshihet në skema tarifimi elektronik.

Kjo nismë është pjesë e strategjisë sektoriale të transportit dhe synon modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e eficiencës në menaxhimin e trafikut. Një ndër shtyllat kryesore të kësaj reforme është zgjerimi i Sistemeve Inteligjente të Transportit, të cilat do të mundësojnë monitorim në kohë reale dhe informim më të mirë për përdoruesit e rrugës.

Dokumenti parashikon hartimin e një kuadri të plotë ligjor dhe teknik për tarifimin digjital, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Pilotimi i sistemit e-tolling pritet të nisë në segmentet me fluks më të lartë trafiku, si pjesë e rrjetit TEN-T.

Paralelisht, do të krijohet një fond i dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve, i financuar nga tarifat e përdoruesve dhe karikimi i automjeteve elektrike. Aktualisht, disa segmente si Rruga e Kombit, Thumanë–Kashar dhe tuneli i Llogorasë funksionojnë ose pritet të funksionojnë me pagesë.

Strategjia konfirmon gjithashtu rolin e partneriteteve publike-private dhe krijimin e institucioneve të reja për menaxhimin dhe digjitalizimin e transportit në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›