E Diel, 1 Nëntor 2026

Deri në 3 mijë euro një pistoletë/ Goditja e grupit kriminal, zbardhen detaje, armët i fusnin nga Kosova

Nga 2 mijë deri në 3 mijë euro një pistoletë, kryesisht modele të reja. Detaje të reja janë zbuluar për grupin kriminal që shiste armë në Tiranë, teksa policia ka arrestuar tashmë dy prej anëtarëve dhe ka shpallur në kërkim të tretin.

Gazetarja Flutura Tota raportoi për RTSH se Bledar Jella dhe Xhemal Shehi të arrestuar nga Komisariati nr. 5 prej disa kohësh ishin të përfshirë në shitjen e armëve të zjarrit. Armët kryesisht shiteshin në Kamëz, por edhe në grupe të tjera kriminale në Tiranë.

Policia ka arritur që të dokumentojë dy episode të shitjes të pistoletave, duke provuar aktivitetin kriminal. Armët shiteshin nga 2000 euro deri në 3000 euro dhe pistoletat ishin modele të reja, të futura ilegalisht në vendin tonë përmes Kosovës. Sipas burimeve nga policia, të arrestuarit rezultojnë me precedentë të mëparshëm penal për vjedhje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›