E Martë, 3 Nëntor 2026

Dermatologia Elmijola Janushaj: Nishanet problematike duhen hequr

Dermatologia Elmijola Janushaj ka deklaruar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” se nishanet të cilat janë problemtike, duhen hequr. Ajo u shpreh se duhet të përmbyset miti sipas së cilit, heqja e nishaneve çon në vdekje.

“Sa i përket heqjes apo jo të nishaneve. Nuk ka nishane që nuk duhen hequr se po i hoqe të bëjnë një dëm shumë të  madh në organizëm. Ai miti që po hoqe një nishan, vdes, duhet hequr plotësisht sepse nishanet që janë problematike duhet të hiqen për të shmangur prognozën e keqe. Kontrolli i përvitshëm i tyre na mundëson shmangien e transformimit të një nishani të dëmshëm që të mundësojmë një jetë të shëndetshme”, u shpreh dermatologia.

Kjo e fundit bëri thirrje për kontrolle të përvitshme, me qëllim marrjen e masave në kohën e duhur nëse konstatohen probleme me nishanet.

Ajo theksoi, se në ndryshim nga organet e tjera të cilat japin shenja paralajmëruese në rast të një problematike të caktuar, në rastin e nishaneve, kjo gjë nuk ndodh. Për këtë arsye, theksoi ajo, nevojitet dermatoskopia.

“Nishani është grumbullimi I një pigmenti në një zonë të caktuar të lëkurës. Janë një pjesë normale e lëkurës. Mund të ndodhë sikurse çdo organ që mund të pësojnë ndonjë avari, edhe te nishanet mund të ndodhë një gjë e tillë.

Por ndryshe nga organet të cilat të japin disa shenja paralajmëruese që ne të marrim masa, nishanet nuk e kanë këtë gjë. Kjo është arsyeja përse ne insistojmë, sidomos në muajin maj, që njihet dhe si muaji i ndërgjegjësimit i kancerit të lëkurës, të bëhet një kontroll i nishaneve që është dermatoskopia”, u shpreh Janushaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›