Dëshmon vrasësi i të miturit, autori 15-vjeçar nuk shfaq pendesë, nuk tregon ku e fshehu thikën

15-vjeçari Mario Përlleshi, i cili vrau me thikë nxënësin 14-vjeçar pas një zënke në shkollën “Fan Noli” në Tiranë është marrë në pyetje nga policia.
Ai pranoi se konflikti me bashkëmoshatarin nisi ditën e premte, e më pas e kishin lënë të sqaroheshin.
Pyetjes së hetuesve nëse është penduar për krimin, 15-vjeçari nuk i është përgjigjur.
Gjithashtu ai nuk ka treguar as se ku e ka fshehur thikën, me të cilën goditi dy bashkëmoshatarët e tij duke i lënë njërin të vdekur e tjetrin të plagosur.
Shefi i Sigurisë Publike pranë Policisë së Tiranës, shprehet se për këtë debat mes tyre është vënë në dijeni oficerja e shkollës.
Sipas tij, dy nxënësit që ishin të dy me rezultate të mira janë pajtuar dhe nuk kanë sfaqur shenja agresiviteti apo inate mes tyre.
Por kryekomisar Asllan Shytaj shton se prindërit nuk janë njoftuar, një gjë që duhej të ishte bërë, kjo për faktin se debati mes tyre u anashkalua dhe u mbyll.
“Oficeri i Sigurisë ka marrë informacion ditën e ngjarjes pas orës së tretë, kjo nga raporti që është përpiluar nga oficerja e sigurisë. Ka patur një debat mes dy nxënësve dhe kjo është konstatuar nga mësuesja e dezhurnit. Është informuar më pas oficerja e sigurisë, ka zbatuar protokollin. Janë thirrur nxënësit. Ata janë shprehur se nuk kanë probleme, pra kanë reaguar pozitivisht. Kjo është lënë me kaq, nuk ka patur dhe nuk është informuar policia, por as prindërit. Prindërit të paktën duhet të ishin informuar për këtë konflikt sepse prindri merr masa në kontakt me drejtorinë e shkollës me oficeren e sigurisë dhe ka dijeni që fëmija ka një sherr apo një konflikt”, tha Shytaj.
Ngjarja e rëndë, edhe pse ka ndodhur jashtë ambjenteve të shkollës “Fan Noli”, ka bërë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda të kërkojë rishikim të paketës së sigurisë në insitucionet arsimore.
“Është një iniciativë e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit që në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit të rishikohet se çfarë ka çeduar deri më tani me zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla. Pra do të rishikohet se ku duhet të ndërhyhet që të merren masa që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Pavarësisht se kjo ngjarje ka ndodhur jashtë shkolle, por është një ngjarje që konflikti ka filluar brenda në shkollë dhe më pas ka ndodhur jashtë.”
Paketa e sigurisë në shkolla pritet që të ketë disa ndryshime sa i takon kontrolleve sidomos për fëmijët që shfaqin shenja agresiviteti apo dhune mes bashkëmoshatarëve të tyre.