E Martë, 3 Nëntor 2026

Dështimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës, ambasadori gjerman: Keqardhje për bojkotin e kërkuar nga Lista Serbe

Ndërkombëtarët kanë reaguar lidhur me dështimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.

Procesi i votimit dje për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve.

Në mënyrë që votimi të ishte i suksesshëm duhet të votonin , minimalisht, 50% + 1. Lidhur me këtë ambasdori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se bojkoti i kërkuar nga Lista Serbe është për keqardhje dhe shkatërrues.

“Bojkoti i kërkuar nga aktorët politikë si Lista Srpska është, siç e kam thënë më parë, për keqardhje dhe shkatërrues kur bëhet fjalë për kulturën demokratike, zgjidhjen e problemeve dhe kujdesin për jetën e përditshme aktuale të qytetarëve”, tha ambasadori gjerman për mediat në Kosovë.

Kryetarët serbë në nëntor të vitit 2022 dhanë dorëheqjen nga këto katër komuna pas vendimit të qeverisë për targat.

Më pas më 23 prill 2023 u mbajtën zgjedhje në këto komuna për kryetarët e rinj, por pjesëmarrja ishte e ulët. Procesi u bojkotua nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë.

Këto votime nxorën fitues kandidatët shqiptarë të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por me kërkesë të ndërkombëtarëve, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal hartoi një udhëzim administrativ, i cili parashikon procedurat se si duhet të shkohet në zgjedhje përmes peticionit./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›