Detaje të rënda nga atentati në Athinë, krimi para syve të djalit të Davellës! I biri telefonoi shokun: Më vranë babanë

Një atentat mafioz në Athinë i mori jetën 45-vjeçarit shqiptar Irakli Davella, i cili u qëllua me plumb në kokë sapo doli nga një kafene.
I plagosur rëndë mbeti shqiptari Edi Lolo, ndërsa një person i tretë, i paidentifikuar ende nga mediat greke, raportohet se i shpëtoi plumbave.
Sipas mediave greke, ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të fëmijëve, pasi pranë vendit të ngjarjes është edhe këndi i lojërave të lokalit nga ku viktima doli para se të qëllohej.
Media greke “News247”, shkruan se ka pasur dëshmi se djali i viktimës ka telefonuar shokun e tij dhe i ka thënë për ngjarjen tragjike.
“Më kanë vrarë babanë!”, thuhet se është shprehur ai. Irakli Davella nga Saranda, mësohet se ishte i martuar dhe ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, e cila studionte për drejtësi.
Kush është Irakli Davella?
Irakli Davella, sipas një dokumenti të Parlamentit grek, ishte pjesë e një grupi ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018).
Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjec shqiptar i arrestuar këtë vit si pjesëtar i një grupi gjobëvënësish, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars në Pire.
Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobëvënie”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash”, etj.
Informacionet nga mediat greke, bëjnë me dije se 45-vjeçari që humbi jetën, ishte pronar lokali në Peristeri dhe se policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh. Nga hetimet ka rezultuar se në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur procedim penal për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale.
Shënjestra megjithatë thuhet se ka qenë edhe njeriu i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe po lufton për jetën, Edi Lolo, i cili kishte ardhur së fundi në Greqi nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol kyç në pritë.
Autoritetet greke vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta eliminojë./vizionplus.tv