“Dezinformimi”, Braçe: Korrik-gusht, grupe të huaja sulmuan turizmin në Shqipëri

Komisioni i Posaçëm për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit ka zhvilluar këtë të enjte (26 shtator) mbledhjen e radhës, sërish pa prezencën e opozitës.
Në fjalën e tij, kreu i këtij komisioni Erion Braçe deklaroi se gjatë muajit korrik dhe gusht turizmi ka qenë në sulm nga grupe të posaçme keqdashëse.
Sipas Braçes, këto grupe kanë pasur si qëllim, largimin e vëmendjes dhe prenotimeve nga njësitë akomoduese në Shqipëri.
“Vende të BE dhe institucione të tjera nga Europa në Amerikë janë përfshirë në adresimin e probelmatikës për ndërhyrjet e huaja direkte në proceset demokratike zgjedhore e më gjerë se sa kaq, përfshi dhe dezinfomrimin. Ngjarje që kanë ndodhur gjatë muajve korrik dhe gusht sjellin në vëmendje ekzistencën e fushatave dezinformuese veçanërisht në aspektin e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Turizmi ka qenë nën atak dhe është i verifikuar që grupe të posaçme të huaja keqdashëse kanë sulmuar faqet e njësive akomoduese në Shqipëri me qëllim largimin e vëmendjes dhe prenotimeve nga këto njësi akomoduese kohë pas kohe“, tha Braçe.
Komisioni i Posaçëm i Dezinformimit do të nisë javën e dytë të tetorit seancat dëgjimore. Në mbështetje të punës së komisionit do të jenë ekspertë nga BE, Këshilli i Europës dhe i OSBE.
/rtsh.al/