Dhoma Amerikane: Ndal dhunës! Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë edhe ekzistencën e bizneseve

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ngre shqetësimin për dëmin e shkaktuar ndaj bizneseve për shkak të protestave të ditëve të fundit.
Në një reagim, Dhoma Amerikane thotë se komuniteti i binzesit ndihet i pasigurt dhe se po rrezikohet aktiviteti i përditshëm.
“Sipas raportimeve që na janë përcjellë, shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës”, thuhet në reagimin e Dhomës Amerikane të Trgtisë.
Sipas Dhomës Amerikane, kjo klimë po kërcënon edhe investimet e huaja, duke penguar investitorët që të vijnë në Shqipëri.
“Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Është po aq shqetësuese që pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për investime në Shqipëri”, thuhet në reagim.
Dhoma Amerikane bën thirrje për një zgjidhje që i jep fund kësaj situate sa më parë, duke apeluar që qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse të gjejnë rrugën e dialogut me protestuesit, për të garantuar rendin dhe për të mbrojtur pronën publike dhe private.