Dhoma e Avokatisë në bojkot pa afat/ Haxhia: Zgjedhim të mos marrin pjesë në seancat e GJKKO-së

Përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka bërë të ditur vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për bojkotimin e seancave në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi u mor unanimisht pas diskutimeve për rregulloren e re të GJKKO-së.
Haxhia sqaroi se gjatë mbledhjes u paraqitën tre propozime. I pari ishte bojkotimi i të gjitha gjykatave në vend, i dyti bojkotimi vetëm i GJKKO-së, ndërsa propozimi i tretë parashikonte një bojkot më të gjerë, ku do të përfshiheshin edhe avokatët kryesisht dhe seancat për masat e sigurimit.
“Pas diskutimeve që ju ishit edhe prezent dhe e përcollët këtë mbledhje live nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë, pati tre propozime. Propozimi i parë ishte bojkot i përgjithshëm i të gjitha gjykatave. Propozimi i dytë ishte bojkot vetëm i Gjykatës së Posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar, për shkak sepse burimi dhe shkaku që u mblodh në ky diskutim ishte pikërisht rregullorja. Dhe propozimi i tretë ishte që të avancohej dhe të thellohej më tepër, që edhe avokatët kryesisht, dhe masat e sigurimit të bojkotoheshin.”-u shpreh Haxhia.
Pas diskutimeve, Këshilli mori në konsideratë edhe ndikimin që një bojkot më i gjerë mund të kishte te proceset gjyqësore dhe te personat që ndodhen nën masë sigurie apo janë të dënuar.
Në fund, anëtarët votuan unanimisht për një qëndrim të kufizuar vetëm te GJKKO-ja.
“Pas një debati konstruktiv, duke vlerësuar shumë në radhë të parë proceset, mbarëvajtjen e proceseve, duke vlerësuar pozicionin e personave që janë nën masën e sigurisë, të atyre në masën e dënimit, përfundimisht nëpërmjet votimit me unanimitet, Këshilli i Përgjithshëm votoi që të bojkotojë vetëm seancat në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.”-shtoi Haxhia.
Vendimi vjen në kuadër të kundërshtimeve të avokatëve ndaj rregullores së re të GJKKO-së, e cila ka sjellë debat për mënyrën e ushtrimit të profesionit të avokatit gjatë seancave gjyqësore.