E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuka: Progres në luftën kundër korrupsionit, gjashtë hetime penale për zyrtarë të lartë

TIRANË, 12 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, në një seancë dëgjimore ditën e sotme në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, u ndal te masat që janë marrë në luftën kundër korrupsionit.

Lidhur me parandalimin e korrupsionit, Dhuka informoi se janë marrë një numër masash të rëndësishme gjatë vitit 2025 ku është hartuar një paketë e rëndësishme ligjore me pesë projektligje.

“Tre nga këto projektligje janë miratuar: ligji për lobimin, ligji për konfliktin e interesit dhe ligji për sinjalizuesit. Aktualisht kemi ligjin për financimin e partive politike në proces, i cili aktualisht është në kosultim në Komisionin e Venecias dhe njëkohësisht ligjin për sponsorizimet dhe donacionet, i cili ka përfunduar fazën e konsultimit publik dhe është në konsultim me Komisionin Europian”, tha Dhuka.

Po ashtu, Kryenegociatorja theksoi se Shqipëria ka punuar mjaft mirë edhe me plotësimin e rekomandimeve të GRECO-s, ku janë realizuar plotësisht 18 prej 24 rekomandimeve.

Në drejtim të parandalimit të korrupsionit, Dhuka theksoi se është punuar edhe në lidhje me sektorët më me risk si pronat, prokurimi publik, tatimet dhe dogana, arsimi dhe shëndetësia.

Sipas saj, Shqipëria ka përfunduar analizën e riskut për sa i përket prokurimeve publike, duke identifikuar risqet më potenciale për korrupsion në fushën e Prokurimit Publik.

Në luftën kundër korrupsionit, Dhuka theksoi se Shqipëria ka tashmë një historik hetimesh dhe dënimesh të qëndrueshëm dhe është në rritje edhe në vitin 2025.

“Në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë, gjatë vitit 2025 u regjistruan gjashtë hetime të reja penale, dhjetë aktakuza dhe gjashtë vendime gjyqësore të formës së prerë ndërsa për sa i përket korrupsionit në përgjithësi në të gjitha nivelet e tjera ka një aktivitet të shtuar”, tha Dhuka.

Sipas saj, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 878 hetime dhe janë ngritur 236 aktakuza gjatë vitit 2025 dhe janë marrë 287 vendime të formës së prerë nga gjykata.

“Është punuar në drejtim të parandalimit ashtu sikurse edhe në drejtim të luftës me anë të organeve të drejtësisë ndaj korrupsionit. Vlerësoj veçanërisht punën e SPAK, aktiviteti i të cilit është rritur gjatë vitit 2025”, tha Dhuka.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›