Dhuna ndaj fëmijëve, plagë në rritje – 70 raste në Fier në tre vitet e fundit

Në tre vitet e fundit, në qarkun e Fierit janë regjistruar 70 raste dhune ndaj fëmijëve, shumica me natyrë seksuale.
Sipas Qendrës “Me një Ndalesë” pranë Spitalit Rajonal të Fierit, vetëm gjatë vitit 2025 janë evidentuar mbi 20 raste të rënda.
Ndërsa 49 fëmijë janë aktualisht nën mbrojtje nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve në Bashkinë e Fierit, për shkak të dhunës fizike, psikologjike apo abuzimeve seksuale.
“Çdo vit ka raste të fëmijëve që duhet të zhvendosen nga familja momentalisht por edhe të fëmijëve që janë rikthyer përsëri me vendim gjykate në familje dhe vazhdojnë mbahen në monitorim. Ajo çfarë bën Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve është koordinimi ndërinstitucional që për hir së të vërtetës në Fier është marrë si model koordinimi me aktorët lokal”, u shpreh Alma Agalliu, Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve, Bashkia Fier
Sistemi mbrojtës përfshin disa struktura shtetërore, por sipas Alma Agalliut, njësitë lokale kanë ende mungesë stafi për të ofruar kujdes të plotë ndaj fëmijëve në rrezik.
“Pjesa e një stafi të shtuar është lehtësi, si për përgjigjen më të shpejtë ndaj rasteve”, tha ajo.
Një nga rastet më të rënda është ai i vajzës 12-vjeçare që denoncoi babain për abuzim seksual. Ai ndodhet pas hekurave, ndërsa e ëma po përballet me vështirësi në rritjen e gjashtë fëmijëve të tjerë.
Tre prej tyre, bashkë me vajzën e dhunuar, janë sistemuar përkohësisht në qendra shtetërore me vendim gjykate.
/rtsh.al/