Dhuna në Komisionin e Medias nga Noka dhe Bardhi, ambasadori holandez: Skena të papranueshme!

Skenat e dhunës në Komisionin Parlamentar të Medias nga deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, ndaj deputetes së PD-së, Flutura Açka, janë vlerësuar si të papranueshme edhe nga ambasadorë të BE-së në Tiranë.
Reagimi i parë ka ardhur nga ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos. Në platformën X, duke ju referuar skenave të krijuara nga Noka dhe Bardhi, ai shkruan se ato janë të papranueshme dhe në shenjë indinjate nuk ka pranuar ti publikojë pamjet.
“Skena e papranueshme sot në parlament. Unë nuk do t’i tregoj imazhet”, ka shkruar ambasadori holandez, Reinout Vos.
Nikolla: Sulm i paprecendent ndaj një zonje deputete
Aktet e dhunës në Komisionin e Medias nga dy deputetët e opozitës ndaj Açkës, janë dënuar gjerësisht nga opinioni politik, si dhe nga institucionet drejtuese të Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e konsideroi “një sulm të paprecedentë” ndaj Açkës që, sipas saj, është shumë më tepër se shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe e etikës së sjelljes së deputetit.
Sipas kryeparlamentares, “dhuna” e ushtruar prej Nokës e Bardhit i kaloi caqet e dhunës verbale.
“Dënoj ashpërsisht ngjarjen shumë të rëndë që ndodhi sot në Komisionin e Medias të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, jo vetëm penguan me dhunë zhvillimin e mbledhjes së Komisionit, por fyen rëndë Kryetaren e Komisionit, deputeten e nderuar Flutura Açka. Ky sulm i paprecendent ndaj një zonje deputete të Kuvendit të Shqipërisë, është shumë më tepër se shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe e etikës së sjelljes së deputetit. Në një kohë kur Kuvendi është duke punuar për ashpërsimin e legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, në mjediset e tij, në një sallë mbledhjesh ku duhet të zhvillohet debat për ligjet dhe prej nga duhet të rrezatohet edukatë dhe qytetari, në sy të kolegëve, medias dhe gjithë qytetarëve, dy deputetë ushtrojnë dhunë ndaj një kolegeje të tyre, deputete dhe Kryetare Komisioni. Dhuna e ushtruar prej deputetëve Bardhi dhe Noka i kaloi caqet e dhunës verbale, dhe për këtë flasin pamjet e transmetuara nga media”, shkruan Nikolla në reagimin e saj.
Basha: Turp për këta burrecë të vegjël
Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, referuar dy deputetëve të opozitës, në një postim në X (dikur Tëitter), shkruajti se skenat e prodhuara në Komisionin e Medias “vetëm provojnë se sa të dobët janë”.
“Turp për këta burrecë të vegjël që mendojnë se duke sulmuar zonjat me dhunë verbale, veprim forcë. Kjo vetëm provon se sa të dobët janë”, shkruan Basha.
PS: Noka e Bardhi të përjashtohen nga seancat
Nga ana tjetër Partia Socialiste në maxhorancë ka kërkuar përjashtimin e deputetëve të opozitës Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, lidhur me seancën e ditës së hënë (15 janar) ku sjellja e tyre pamundësoi zhvillimin normal të seancës sipas rendit ditës dhe u bënë shkak për anulimin e fjalës së presidentit Bajram Begaj.
Vendimi duket se është përforcuar edhe nga zhvillimet e së mërkurës, ku deputetët demokratë Bardhi dhe Noka u bënë protagonistë të ngjarjejes së rëndë në Komisionin Parlamentar të Medias. Ata debatuan me tone të ashpra me kryetaren e Komisionit, Flutura Açka, madje në një moment treguan dhe dhunë duke i hequr me forcë asaj mikrofonin.
/rtsh.al/