E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në kopsht, dy persona nën hetim! Nëna goditi edukatoren në Fier, Policia heton edhe dyshimet për dhunë ndaj fëmijës

Policia e Fierit po heton një rast të pretenduar dhune në kopshtin numër 10 të këtij qyteti.

Pak ditë më parë një edukatore 44-vjeçare u dhunua fizikisht nga nëna e një fëmije 4-vjeçar, e cila e akuzonte për dhunimin e të miturit. Policia ka nisur hetimet për të dyja gratë.

Edukatorja e kopshtit publik po hetohet në gjendje të lirë për dyshimet e keqtrajtimit të të miturit, ndërsa nëna e këtij të fundit po hetohet për dhunën e ushtruar ndaj edukatores.

Paraprakisht, policia e Fierit sqaron se nga këqyrja e fëmijës nuk janë evidentuar shenja dhune, por hetimet për rastin nuk janë mbyllur. Sipas avokatit që mbron edukatoren, nëna është njoftuar nga sanitarja e kopshtit, e cila raportohet të jetë pezulluar nga puna pas incidentit, informon TCH.

“Pranë punonjësve të policisë, sanitarja ka deklaruar se nuk e ka parë edukatoren duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës. Nga veprimet e kryera deri më tani, përfshirë pamjet e kamerave, sipas informacionit që kemi, nuk ka rezultuar ushtrim dhune”, u shpreh avokati Evis Hadermataj.

Burimet bëjnë me dije se fëmija 4-vjeçar vijon të frekuentojë kopshtin numër 10 në qytetin e Fierit, ndërsa hetimet për të përcaktuar nëse ka pasur ushtrim dhune ndaj të miturit dhe për të dokumentuar përgjegjësitë për konfliktin mes nënës dhe edukatores, vijojnë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›