“Dhunë, kërcënim apo pengim raportimi” – AGSH: 50 sulme janë kryer ndaj gazetarëve gjatë protestave studentore, 80 përqind e rasteve lidhen me Policinë e Shtetit
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka publikuar një raport shqetësues mbi sulmet dhe incidentet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave studentore në Tiranë, në periudhën 13–24 tetor 2026.

Sipas raportit, janë dokumentuar 50 raste sulmesh, nga të cilat 40 lidhen drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit, duke përbërë 80% të incidenteve të regjistruara. AGSH thekson gjithashtu se në pesë raste, gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome nga policia teksa po ushtronin detyrën.
Incidentet e dokumentuara, sipas AGSH, përfshijnë dhunë fizike, kërcënime, pengim të raportimit, dëmtim të pajisjeve profesionale, përdorim të sprajit me piper, si dhe sulme verbale ndaj gazetarëve dhe mediave.
Mes rasteve të evidentuara janë edhe ato të gazetarëve dhe operatorëve të News24. Elvin Kamberi raportohet se është lënduar nga një mjet zhurmues i hedhur nga policia, ndërsa Renaldo Salianji ka denoncuar dhunë fizike dhe fyerje nga një efektiv.
Gazetari Osman Stafa rezulton i përfshirë në dy incidente të veçanta, pengim gjatë ushtrimit të detyrës nga Policia e Shtetit dhe sulm verbal i policisë ndaj tij ndërsa Klevi Muka dhe Armand Kullau janë gjithashtu mes punonjësve të medias që kanë raportuar dhunë gjatë protestave.
Në protestën e 24 tetorit, sipas AGSH-së, Klevi Muka pësoi djegie në trup nga uji i hedhur nga policia, ndërsa Armand Kullau u sulmua qëllimisht me spraj me piper nga një distancë e afërt.
“50 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias janë konfirmuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) gjatë periudhës 13–24 tetor 2026, në kuadër të protestave në Tiranë.
Nga këto, 40 raste lidhen drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit, duke përbërë 80% të totalit të incidenteve të dokumentuara.
Gjithashtu, AGSH ka konfirmuar 5 raste në të cilat gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome nga Policia e Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Më poshtë gjeni raportin e plotë të AGSH-së, me të gjitha incidentet e dokumentuara gjatë kësaj periudhe.“, thekson AGSH.
RAPORTI I PLOTE:
Periudha: 13–24 tetor 2026
Dokumentimi përfshin rastet e dhunës fizike, kërcënimeve, pengimit të raportimit, dëmtimit të pajisjeve dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe mediave, të raportuara pranë Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).
13 TETOR 2026
- Anesti Bajramemaj – A2 CNN – Dhunë e raportuar nga Policia e Shtetit gjatë mbulimit të protestës.
- Heri Simota – A2 CNN – Dhunë e raportuar nga Policia e Shtetit, në të njëjtin incident me gazetarin Anesti Bajramemaj.
- Fatime Halmusaj – Media e papërcaktuar – Goditje dhe lëndim në këmbë nga një mjet tymues i hedhur nga policia.
- Izmir Akulli – Dosja.al – Dhunë fizike e raportuar nga efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa dokumentonte ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve.
- Xhoi Malësia – Top News – Kërcënim nga një efektiv policie me një mjet për hedhjen e gazit lotsjellës.
14 TETOR 2026
- Enkelejda Mema – Euronews Albania – Pengim i filmimit dhe ushtrimit të detyrës nga Policia e Shtetit.
- Alice Taylor – Euronews Albania – Marrje e telefonit nga një efektiv policie gjatë dokumentimit të protestës. Telefoni iu kthye pas disa minutash.
- Elvin Kamberi – News24 – Lëndim nga një mjet zhurmues i hedhur nga policia në drejtim të operatorëve dhe fotoreporterëve.
- Bekim Bici – Ora News – Pengim i filmimit dhe raportimit nga efektivë të Policisë së Shtetit.
- Ekipi i xhirimit – Report TV – Sulm dhe vandalizim i kamerës nga protestues të maskuar.
15 TETOR 2026
- Doriana Bezat – Top Channel – Sulm fizik i raportuar nga protestuesit gjatë ushtrimit të detyrës.
- Jonida Mukja – Piranjat – Pengim nga Policia e Shtetit gjatë raportimit.
- Albi Muçollari – Piranjat – Marrje me forcë nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë dokumentimit të ndërhyrjeve policore.
- Felix Bilani – SYRI TV – Pengim nga persona me veshje civile, të dyshuar si pjesëtarë të policisë, ndërsa filmonte ndalimin e të miturve.
16 TETOR 2026
- Elkier Bushkolaj – SYRI TV – Pengim nga Policia e Shtetit gjatë raportimit të drejtpërdrejtë pranë Piramidës në Tiranë.
17 TETOR 2026
- Eksiola Shehu– Euronews Albania – Tërheqje fizike nga policia dhe tentativë për marrjen e telefonit gjatë dokumentimit të protestës.
- Gazetarë të mediave të ndryshme – Pengim i raportimit nga persona të maskuar dhe të paidentifikuar, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
- Gazetar i paidentifikuar me emër – Reuters – Goditje me fishek gome gjatë mbulimit të protestës në Tiranë.
- Gazetar i paidentifikuar me emër – Reuters – Goditje me fishek gome gjatë mbulimit të protestës në Tiranë.
- Raimond Lueppken – Fotoreporter i pavarur zviceran – Presion nga dy persona me veshje civile për të fshirë pamjet filmike që kishte regjistruar në Durrës. Përkatësia e personave nuk është konfirmuar.
18 TETOR 2026
- Hameraldi Agolli – Fotoreporter, media e papërcaktuar – Ndalim me dhunë i raportuar nga Policia e Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
- Osman Stafa – News24 – Pengim gjatë ushtrimit të detyrës nga Policia e Shtetit.
- Taulant Koplikaj – Media e papërcaktuar – Goditje fizike e raportuar nga efektivë të Policisë së Shtetit.
- Renaldo Salianji – News24 – Dhunë fizike dhe fyerje të raportuara nga një efektiv policie.
- Glidona Daci – Klan News – Goditje me gurë, e raportuar si e kryer nga efektivë policie.
- Elira Kadriu– Citizens.al – Goditje nga gurë të hedhur prej një protestuesi gjatë mbulimit të protestës.
- Elkier Bushkolaj – SYRI TV – Goditje me plumb gome nga Policia e Shtetit, duke pësuar plagë në këmbë.
- Marshi Korreshi – SYRI TV – Goditje me skafandër dhe shtyrje me forcë nga efektivë policie.
- Juljan Hoxha – SYRI TV – Dhunë fizike e raportuar nga efektivë të forcave “Shqiponja”.
- Felix Bilani – SYRI TV – Dhunë fizike e raportuar nga efektivë të forcave “Shqiponja”.
- Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë / News24 – Deklarata publike ndaj televizionit News24, të kritikuara nga AGSH si sulm verbal dhe retorikë denigruese. Kryeministri akuzoi televizionin për evazion fiskal në vlera prej miliona eurosh, pretendoi se gëzonte imunitet nga Prokuroria e Tiranës dhe se ishte vënë në funksion të rrëzimit të qeverisë. Ai iu referua gjithashtu pretendimeve për mospagimin e sigurimeve shoqërore dhe vonesat e pagave të punonjësve.
- Eno Bozdo – Deputet i Partisë Demokratike / Esido Barkaj, Vizion Plus – Përdorim i gjuhës fyese dhe denigruese ndaj gazetarit gjatë një konference për shtyp, ndërsa ai po i drejtonte një pyetje. AGSH dënoi sjelljen e deputetit dhe kërkoi ndjesë publike.
19 TETOR 2026
- Armand Bajrami – A2 CNN – Goditje me plumb gome nga Policia e Shtetit gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
- Gazment Seiti – KlikNews.al – Goditje me plumb gome nga Policia e Shtetit gjatë mbulimit të protestës.
- Endri Cuka – Media për verifikim – Incident i raportuar me Policinë e Shtetit; rrethanat e sakta mbeten për t’u sqaruar.
- Hamza Jaupi – Media për verifikim – Goditje me shkop dhe spërkatje me spraj nga efektivë të Policisë së Shtetit.
- Sergei Senka – Media për verifikim – Spërkatje me spraj nga efektivë të Policisë së Shtetit.
- Edison Vatnikaj – Ora News – Goditje me shpullë nga një efektiv i Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
- Kristi Gongo – Top Channel – Kërcënim verbal nga një efektiv policie gjatë filmimit të një aksioni policor.
20 TETOR 2026
- Fatjon Nurçellari – A2 CNN – Sulm ndaj grupit të xhirimit nga dy protestues gjatë mbulimit të protestës në Tiranë.
- Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë / Mediat shqiptare – Deklarata publike të kritikuara nga AGSH si retorikë stigmatizuese ndaj mediave, gjatë një takimi me drejtues të shkollave të mesme të Tiranës.
21 TETOR 2026
- Sali Berisha – Kryetar i Partisë Demokratike / Top Channel, Report TV dhe media të tjera – Sulme verbale dhe përdorim i gjuhës denigruese ndaj drejtuesve dhe përfaqësuesve të mediave, të dënuara nga AGSH.
22 TETOR 2026
43. Gazetar grek i paidentifikuar/ Sulm fizik me gurë të hedhur nga protestuesit
24 TETOR 2026
44. Klevi Muka – News 24 / Djegie ne trup nga uji i hedhur nga policia
45. Ardit Hoxha, Euronews Albania/ Qëllohet me plumb gome nga Policia e Shtetit
46. Freard Rista, Piranjat/ Sulm fizik me gurë të hedhur nga protestuesit
47. Ekipi i KlanNews, Gazetare Glidona Daci, operator Jurgen Lapaj/ Sulm i qellimshem nga policia me spraj me piper ne distance te afert
48. Fotoreporteri MM, Shtetas amerikan/ Shoqerim pa arsye ne Komisariatin nr.2
49. Osman Stafa, News24/ Sulm Verbal i Policise se Shtetit ndaj tij
50. Armand Kullau, News 24/ Sulm me spraj me piper nga Policia e qellimshme, ne distance te afert