Dhunimi i shqiptarëve në Mal të Zi, Spajiq shpreh keqardhje: Autorët do arrestohen

Kryeministri malazez Milojko Spajiq (o. Spajic) shprehu të shtunën “keqardhje të thellë” për tre shtetasit shqiptarë të dhunuar barbarisht në Mal të Zi.
“Më vjen thellësisht keq për ngjarjet e sotme ndaj mysafirëve tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj që Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oazë paqeje dhe sigurie për të gjithë. U identifikua njëri nga agresorët dhe po punohet për arrestimin e tij. Së shpejti, të gjitha informacionet do të njihen për të tjerët,” shkroi z. Spajiq.
Në lidhje me ngjarjen, Policia shqiptare e Shtetit sqaroi se autoritetet kombëtare kanë komunikuar menjëherë me homologët në Malin e Zi për t’u njohur me rrethanat dhe për t’u ofruar ndihmë shtetasve shqiptarë.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke u shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.
Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit,” njoftoi Policia.
Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë.
“Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor,” njoftoi ambasada.
Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla falënderoi kryeministrin Spajiq dhe autoritetet malazeze për reagimin.
“Falënderoj autoritetet e Policisë së Shtetit të Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm ndaj dhunimit të tre të rinjve shqiptarë sot në Herceg Novi. Ngjarja po hetohet dhe personat që kryen aktit do të mbajnë përgjegjësi,” reagoi Balla në rrjetet sociale,” shkroi z. Balla.
/rtsh.al/