E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhunonte bashkëshorten dhe e çoi drejt vetëvrasjes, dënohet me 10 vite burg Xhemal Loka

Gjykata e Durrësit ka shpallur fajtor Xhemal Lokën dhe e ka dënuar me 10 vjet burg, duke theksuar në vendimin e saj se ai ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij, Bedrie Loka.

Gruaja kreu vetëvrasje, ndërsa fillimisht u dyshua se shkaku ishte ngacmimi në rrjetet sociale.

Përveç dhunës ndaj bashkëshortes, Xhemal Loka akuzohet edhe për keqtrajtim të fëmijëve, ndërsa ndaj tij është hapur një hetim i ri.

Ngjarja ndodhi më 2 janar të vitit 2024, ku Bedrie Loka, humbi jetën pasi konsumoi fostoksinë.

NJOFTIMI I GJYKATËS

Lidhur me kërkesën tuaj të datës 05.02.2025 për informacion lidhur me ngjarjen (shkaktim i vetëvrasjes së të ndjerës B.L), në kuadër të interesit publik, kërkoni informacion mbi çështjen në shqyrtim pranë kësaj Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, nga verifikimet e kryera në Sistemin ICMIS rezulton se:

Pranë kësaj Gjykate është regjistruar çështja penale Nr. 835 Akti, me objekt: “Akuzuar per veprat penale”Shkaktim i vetevrasjes”, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve,armeve shperthyese dhe i municionit”dhe “Mbajtja pa leje  dhe proidhimi i armeve ,armeve shperthyese dhe i municionit”,parashikuar nga nenet 99,278/4 dhe 278/3 te K.Penal ne ngarkim te pandehurit Xh. L.”

Në përfundim të gjykimit, Gjykata me Vendimin Nr. 7499, datë 19.12.2024, ka Vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.L për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
  2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh. L.për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
  3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim.
  4. Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
  5. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
  6. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal-Një armë zjarri automatike PPS me nr.89-0579; të kaloj në favor të shtetit pasi vendimi të marrë formë të prerë.
  7. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal vlerat monetare 2800 (dymijë e tetëqind) Euro dhe 27’000 (njëzet e shtatë mijë) lekë, t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
  8. Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
  9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Durrës, sot më datë 19.12.2024.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›