Dialog i ri Kosovë-Serbi pas zgjedhjeve lokale?
Janë disa skenarë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale që përfliten nga qendra diplomatike në Prishtinë.
Ndonëse e cilësuar si Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja e 19 prillit nuk besohet se do të sjellë diçka të re në këtë drejtim, derisa Kosova dhe Serbia të mos zgjidhin përfundimisht çështjet e hapura dhe të njohin njëra-tjetrën, sidomos Serbia shtetin e Kosovës.
Formati i tanishëm i dialogut parashikon që Prishtina dhe Beogradi me ndërmjetësimin e BE-së të përcjellin zbatimin e marrëveshjeve edhe pas konstituimit të institucione të reja vendore. Por, njëherësh nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe një format tjetër të dialogut.
Burime ndërkombëtare në Prishtinë kanë theksuar për mediat kosovare se pala kosovare pret shumë nga pozicioni i Gjermanisë që do të marrë në raport me Serbinë në dhjetor të këtij viti, kur vendet anëtare të BE-së do të nxjerrin disa konkluzione për janarin e vitit të ardhshëm rreth asaj nëse do ti japin Serbisë përfundimisht datën e negociatave për anëtarësim në BE.