E Enjte, 5 Nëntor 2026

Dialogu Kosovë-Serbi, Von Der Leyen: Thelbësore që palët të takohen sa më shpejt

Presidentja e Komisionit Europian e konsideron si thelbësore, që takimi i ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, Von Der Leyen tha se mirëpret zotimin e tij për tu angazhuar ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE, ndërsa thekson se perspektiva europiane e Ballkanit perëndimor mbetet prioritet për komisionin.

“Ne dëshirojmë të shohim një avancim më të shpejtë të Kosovës në rrugën e saj europiane dhe do të vazhdojmë ta mbështesim në reformat që ndihmojnë progresin,” u shpreh Ursula Von Der Leyen.

Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti, ku nuk pati dakordësi për asnjë nga çështjet e ngritura. Takimi i radhës është paralajmëruar për në fund të korrikut.

Më tej në letren e saj, presidentja e Komisionit Europian citohet të thotë “se do të vazhdojnë të lobojnë për një vendim pozitiv të BE-së për liberalizimin e vizave”.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011. Tre vite më parë Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave, por vendimi mbeti peng në këshillin e ministrave./A2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›