Dialogu i Ministrisë së Kulturës me simbolet e përmbysura rome

Në foto: Sara, 3 vjeç (në qendër), recitoi e para: Atdheu im i dashur / Foto Franc Zhurda - Shekulli
Elsa Demo
Për të treguar cila është natyra e romit universal, Riza Lahi, citon fjalët e një romi tipik, bujar e zemërbardh, që jo rastësisht e quajnë presidenti i romëve të Shqipërisë, Gurali Mejdani, i cili ka thënë: Romët në natyrën e tyre endacake, i duan shumë ujërat dhe zgjedhin bar të virgjër e gjelberanë sa më shumë për të ngritur çadrat e veta.
Me gjithë këtë përfytyrim romantik, Riza Lahi, që njihet si gaxhoi i angazhuar prej vitit 1992 me çështjet rome, mendon se kur flitet për të drejtat e këtij komuniteti, duhet mbajtur parasysh një rend i më të domosdoshmeve. Nga gjithë sa u tha në Ditën e Kulturës Rome, konferencë e organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është i nevojshëm pak realizëm. Nga njëra anë romëve po u premtohet sipas një detyrimi politik nga BE, e në anë tjetër vetë komuniteti pretendon qëllime që Lahi i quan ambicie.
Ministri Aldo Bumçi u ndodh përballë përfaqësuesve të 13 shoqatave rome të Shqipërisë. Të rinjtë dhe fëmijë mbushnin më shumë se gjysmim e sallës Tefta Tashko Koço.
Të vjetrit folën pa letër dhe përcollën mesazhin për durim sepse gjërat në historinë e popullit rom do të shkojnë një ditë në vendin e tyre. Disa të reja lexuan bilance të përgjithshme për komunitetin rom në Shqipëri dhe rolin politik në moszgjidhjen e shumë problemeve. Përfaqësuesja e një shoqate të rinjsh romë tha se ka individë kompetentë nga komuniteti rom mjaft edhe për të kuptuar se përmbushja e kërkesës për integrimin e romëve në Shqipëri nuk po ndodh nëpër një proces të natyrshëm. Dhe pjesëmarrja e romëve në vendimmarrje, është një e drejtë që lind nga aftësitë e tyre.
Brunilda Toço e shoqatës Rromano Kham tha se po shihte më në fund një ministër që nuk e kishte lënë konferencën pas fjalimit të parë, e pastaj bëri të qartë se rinia rome kërkon shkollim. Pa arsim ska punë. Nëse shoqëria sështë e gatshme të na pranojë ne duhet ta bindim që të na pranojë. Problemet tona do ti zgjidhin të rinjtë që do të ngrenë zërin. Historia ka treguar se të rinjtë i kanë bërë ndryshimet.
Nga shoqata Gruaja Rome e së Nesërmes foli Meleqe Rrënja e cila përshëndeti në radhë të parë gratë shqiptare dhe veçanërisht ato të të gjithë botës. Zonja Rrënja, shkurt, bëri një portret të gruas rome të gëzuar, pse jo edhe romantike e cila ndihet pak e diskriminuar në vetvete dhe kërkon që fëmijët romë ti ketë njëqind për qind në shkolla.
Për parashkollorët romë nuk mjafton një bari dosido, kërkohet mësuese aktore e metodiste. Për heqjen e lypësve nga rruga, zonja Rrënja do dëshironte që aksioni të mos ishte spontan dhe as flakë kashte. Që shoqatat rome të cilat përfaqësojnë një ajkë, të përfshihen në këto procese vetëintegrimi, kanë nevojë të financohen. Duke e mbyllur, ajo u kthye prapë te kërkesat e grave, që nënat e suksesshme të punësohen dhe gruas rome ti hapet rruga për tu punësuar në institucionet shtetërore, pse jo dhe në politikë.
Meleqe Rrënja ia la mikrofonin një grupi fëmijësh parashkollorë. Të gjitha vajza. Sara, 3 vjeç, recitoi e para:
Atdheu im i dashur,
i lodhur, i munduar,
emrin tënd të bukur
kush ta ka shëmtuar.
Ku është krenaria
jemi nga Shqipëria
Ah moj politikë
pse ja kaq tinëzare,
ëndrrat që ne thurim
na i prishe fare.
Gati të gjitha poezitë e vajzave rome flisnin për atdheun Shqipëri. Të voglat vinin nga kopshti Vajzat rome të së nesërmes, projekt që financohet nga donatorë amerikanë. Çdo vit ne marrim nga dhjetë vajza rome, i edukojmë në programin parashkollor dhe pastaj i ndjekim në shkollë, sqaroi mësuesja-psikologe Mënka. Unë jam jo rome, më ka pëlqyer projekti. Po ecën shumë mirë në çdo rreth të Shqipërisë. Vajzat janë shumë të zgjuara, inteligjente, kanë dëshirë për të mësuar. Më habit mënyra e tyre e të perceptuarit, e shpejtë dhe e veçantë.
Mësuese Romira shtoi pastaj se gjëja që me të vërtetë e nevojshme jashtë gjithë propagandave për romët kaq të pranishme, është integrimi përmes shkollimit. Në qoftë se këto të vogla fillojnë të mësojnë, do ti largohen kulturës së tyre që të martohen të reja, në moshën 14 vjeç. Për disa kjo mund të duket sikur po i largojmë nga një kulturë që është e tyrja. Por kjo është një kulturë e imponuar, thotë Romira.
Kështu ministri Aldo Bumçi i dëgjoi të gjitha dhe tha se po të jetë për problemet social ekonomike, ai nuk mund të japë asnjë premtim për zgjidhje. Po të jetë për fushën e kulturës, MTKRS e ka detyrim mbështetjen e projekteve për pakicat etnike-kulturore. Edhe romët si minoritet gjuhësor përfitojnë nga kjo e drejtë. Na thoni çfarë mund të bëjmë?, iu ofrua ministri Bumçi romëve të konferencës kulturore dhe përmendi disa ide që i kishte shkruar gjatë kohës që të tjerët flisnin. Mund të botojmë albume për të dëshmuar jetën tuaj, mund bëjmë ekspozita për të prezantuar veshjet tuaja tradicionale apo objekte të artizanatit. Ju keni një instrument të dashur si violina, mund të bënim konkurse me më të talentuarit. Mund të ndihmonin për festën e Shën Gjergjit. Dhe për fëmijët tuaj mund të organizohen koncerte në Qendrën Kombëtare për Fëmijë.
Ministri Bumçi premtoi të paktën mbështetjen e 2-3 projekteve në vit mbi promovimin e vlerave dhe kulturës rome, për të qenë pjesë e kalendarëve artistikë të Qendrës Kombëtare të Artit, Qendrës Kombëtare të Fëmijëve, Arkivit të Filmit, Cirkut Kombëtar, Teatri Kombëtar dhe ai i Komedisë! Nuk mbetet veç që ministri të presë propozime nga komuniteti rom dhe njëherësh i fton ata të bëhen pjesë e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Sa realist ky dialog? Sa e njohin palët njëra-tjetrën dhe sa janë në gjendje të shohin përtej kërkesave dhe premtimeve? Detajet e tregojnë. Flamuri rom është gjysmë i gjelbër (simbol i tokës), gjysmë blu (simbol i qiellit) dhe në mes ndodhet një rrotë e kuqe (simbol i lëvizjes). Ky simbol dje ishte kthyer përmbys. Në një bandorelë disa metra të gjerë ku ishin stampuar korrekt stemat e shtetit shqiptar e të Ministrisë së Kulturës dhe rrota e kuqe rome, toka ishte lart dhe qielli nën të. Një gjest padijeje që e respektuan me kompromis të dy palët deri në fund të konferencës kulturore.
Një ekran për tu shprehur
Kultura rome është e pasur. Sidomos muzika. Dita Ndërkombëtare e Romëve nuk është për të bërë muzikë dasme. Të pranishmit e 13 organizatave rome ishin të këtij mendimi, se për të shprehur pasurinë kulturore është i nevojshëm një ekran TV, një media, një gazetë apo revistë për tu shprehur në emër të 120 mijë romëve që jetojnë në Shqipëri, që media jonë të thotë fjalën e saj. Zoti Riza Lahi sqaroi pak më vonë që një media është vërtet e domosdoshme sot. Madje tema e kongresit ndërkombëtar rom që zhvillohet më 19 prill në Beograd e ku Lahi do të marrë pjesë, është Situata kritike e romëve dhe media. Çu bë me një revistë që kishte komuniteti rom? Ka një problem thelbësor, thotë Lahi, ka pasur fonde për romët por janë kaçatorët e romëve që abuzojnë me to. Ideja është për të pasur një media të pavarur financiarisht nga partitë dhe nga shteti sepse edhe informacionet që dalin nga OSBE dhe nga institucionet shtetërore shqiptare, nuk ua mbushin mendjen ndërkombëtarëve.