Dialogut i duhet garanci ndërkombëtare

Presidenti Nishani në takime të ndara të premten në ambientet e hotelit Sëis Diamond ka pritur delegacione të ndryshme politike, si dhe ministra të qeverisë së Kosovës.
Ai këto takime i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme, pasi që është njoftuar nga afër me arritjet e fundit të Kosovës në rrafshin diplomatik, si dhe zhvillimet tjera në përgjithësi.
“Unë sot pata rastin të takohem me përfaqësues të ndryshëm të partive politike në Kosovë, ku e shfrytëzova këtë rast për të vlerësuar të gjitha arritjet në Kosovë gjatë kohëve të fundit. Arritjet e Kosovës të cilat kanë kulmuar së fundmi me vendimin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë, që janë kontribute të të gjithë qytetarëve të Kosovës, institucioneve të Kosovës, por edhe të përfaqësuesve të partive politike”, ka thënë ai.
I pyetur nga gazetarët lidhur me përfshirjen e mundshme të veriut të Kosovës në bisedime politike, Nishani ka thënë se kjo çështje i përket Kosovës dhe Serbisë, porse ka kërkuar garanci nga ndërkombëtarët për dialogun që pritet të fillojë së shpejti.
“Natyrisht që këto janë çështje që i takojnë qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Çështjet e bisedimeve është shume e rëndësishme që të bëhen nën garancinë e ndërkombëtarëve”, ka thënë Nishani.
Zëvendëskryeministri Slobodan Petroviq, pas takimit me presidentin Nishani, ka thënë se nga ky i fundit ka kërkuar mbështetje për proceset politike në Kosovë, sidomos për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Biseduam për disa çështje të ndryshme të cilat ne të gjithë e dimë që do të na presin në të ardhmen. Gjithashtu u vlerësua edhe arritja në decentralizim që u përmend edhe nga presidenti. Njëra nga sfidat që do të na presin në të ardhmen është edhe dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës dhe shfrytëzuam rastin t’i bëjmë apel presidentit të Shqipërisë që të na ndihmojë që ky dialogë të bëhet në të mirë të qytetarëve dhe rezultatet të jenë më të mira se deri më tani”, ka thënë ai.
Lideri i lëvizjes Vetëvendosje pas takimit me presidentin Nishani ka thënë se takime të tilla midis Kosovës dhe Shqipërisë janë në të mirë të kombit shqiptarë.
Kurti ka thënë gjithashtu se presidentin Nishani e kanë njoftuar edhe me qëndrimet e lëvizjes Vetëvendosje me nevojën që kombi shqiptar të forcohet dhe faktorizohet dhe që kjo mos të jetë vetëm në fushën e kulturës, arsimit, gjuhës e simboleve, por njëkohësisht edhe në rrafshim, politik, institucional e ekonomik.
“Gjithashtu, me presidentin biseduam edhe për sfidat me të cilat po kalon Kosova, posaçërisht për trysnin e madhe ndërkombëtare mbi Kosovën për dialogun me Serbinë dhe u dakorduam që është koha që faktorët ndërkombëtarë të bëjnë trysni mbi Beogradin e jo mbi Prishtinën, tash që në Beograd e kemi koalicionin nazifashist. Koalicionin e zëvendësit të Sheshelit me zëvendësin e Millosheviqit, besoj se këto takime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, jo për shkak që është 100 vjetori i pavarësisë në të cilin kanë kontribuar të gjithë shqiptarët, por edhe për shkak se kjo dekadë duhet të jetë gjithsesi e shqiptarëve”, ka thënë ai.
Takimin me presidentin Nishani e kanë vlerësuar si të dobishëm edhe zyrtarë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Ishte një shkëmbim shumë i sinqertë i vlerësimeve për zhvillimet politike brenda kombit shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe gjithsesi arritëm në një konkludim të përbashkët që drejtimi që ka marrë kombi shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë është i mbarë, i mirë dhe që nuk do të vonojë dhe pas një periudhe të shkurt kohore në kontekstin historik Shqipëria dhe Kosova do të jenë së bashku në paktin NATO dhe në BE. Po ashtu, vlerësuam se në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kombi shqiptarë objektivisht është më i fuqishëm se kurrë, por megjithatë duhet të bëhet më tepër punë që faktorizimi i shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë të ecë më tutje”, ka thënë ai.
Presidenti Buajr Nishani priti edhe zyrtarë nga Aleanca Kosova e Re. /kosovapress/