Diaspora dhe zgjedhjet parlamentare të 11 majit, rreth 70 mijë zarfe mbërrijnë në KQZ

Mbi 69 mijë është numri i zarfeve të mbërritura deri tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga shtetasit shqiptarë me të drejtë vote, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë.
Ndërsa numri në total i zgjedhësve nga jashtë vendit, që janë regjistruar në platformën elektronike PER, është 245.935, sipas të dhënave të KQZ-së, 193.823 është numri zarfeve të marra nga zgjedhësit, ndërkohë qe shteti fqinj, Italia kryeson me 29.630 zarfe të mbërritura në KQZ, e më pas renditet Gjermania me 10.936, Shtetet e Bashkuara me 7.816 dhe Greqia 6.288.
Për sa i përket zarfeve të mbërritura në KQZ sipas qarqeve kryeson Tirana me 14.831, Durrësi me 11.999, Elbasani me 7.614 dhe Fieri me 6.100.
Përgatitja dhe dërgimi i zarfeve me fletët e votimit po zhvillohet në pallatin e sportit “Feti Borova” dhe po këtu do të kryhet edhe numërimi i votave të diasporës, që voton për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Çdo votues që është regjistruar në platformën PER dhe ka marrë zarfin me fletën e votimit duhet ta plotësojë e ta dërgojë me postë deri në javën e parë të muajit maj.
Ndërkaq, zgjedhësit nga jashtë, për çdo paqartësi apo ndihmë mund t’i drejtohen KQZ-së nëpërmjet një kërkese në fazën zyrtare, ku do të marrin edhe mbështetjen e duhur.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/