E Diel, 1 Nëntor 2026

Dilema FMN apo nevoja për “tutor”?

ADRIAN CIVICI 

Që në vitin 1992, kur FMN-ja erdhi për herë të parë në Tiranë për të nënshkruar marrëveshjen me qeverinë shqiptare të asaj kohe dhe deri para pak ditësh kur u njoftua se marrëveshjes me të i kishte ardhur fundi, politika, masmedia, shoqëria civile dhe përgjithësisht institucionet tona e kanë trajtuar gjithçka “zyrtarisht”. Ekspertët e ekonomisë dhe financave që e njihnin në thelb rolin dhe misionin e FMN-së, e vlerësonin maksimalisht prezencën dhe rolin e saj në “orientimin” dhe “certifikimin” e financave dhe ekonomisë shqiptare. Politika, nga këndvështrimi i pozitës ose opozitës i ka përdorur më shumë qoftë si mburojë, qoftë si justifikim marrëveshjet me të. Shprehjet e tipit “na detyron FMN-ja”, “e ka vendosur FMN-ja”, “është vlerësim i FMN-së” etj., kanë qenë vazhdimisht prezente gjatë gjithë këtyre viteve. Institucionet tona e kanë respektuar dhe janë përpjekur maksimalisht të përfitojnë në performancën e tyre nga “këshillat” dhe “sugjerimet” e FMN-së. Çdo mision i FMN-së në Shqipëri, apo çdo marrëveshje me të ka përbërë eveniment në jetën institucionale e politike në Shqipëri. Në fund të fundit, serioziteti i Shqipërisë në plotësimin e kërkesave të marrëveshjeve me FMN-në dhe rezultatet e arritura si pasojë e kësaj, kanë qenë nga elementët më pozitivë të tranzicionit tonë drejt ekonomisë së tregut.
Po çfarë ndodhi që përfundimi i periudhës së marrëveshjes i fiksuar para shumë kohësh për në muajin janar 2009 dhe qëndrimi i qeverisë shqiptare për të mos bërë një zgjatje apo shtyrje të këtij afati, ngjalli menjëherë kaq shumë diskutime e qëndrime? Qeveria shprehet e sigurt se tashmë Shqipëria ka arritur maturinë dhe garancitë e nevojshme për të menaxhuar në mënyrë korrekte financat e saj, sepse falë kontributit të vetë FMN-së, aftësitë tona në këtë aspekt janë përmirësuar ndjeshëm. Nga ana e saj, Partia Socialiste dhe opozita në përgjithësi u shprehën mjaft të alarmuara kundër këtij vendimi, duke deklaruar se në qoftë se vijnë në pushtet në zgjedhjet e qershorit të 2009-ës, veprimi i parë që do bëjnë do të jetë nënshkrimi i një marrëveshje të re me FMN-në dhe rikthimi i plotë i prezencës së saj në Shqipëri. Argumentit të qeverisë se tashmë ne kemi arritur standardet e nevojshme për të administruar efektivisht sistemin financiar e ekonomik, opozita i kundërvë frikën dhe argumentet se duke qenë një vit elektoral, buxheti dhe treguesit fiskalë të 2009-ës mund të vihen në shërbim të fushatës elektorale të PD-së, duke devijuar ndjeshëm nga “sjellja” buxhetore e një viti normal.
Në këto kushte, debati nga financiar e ekonomik shndërrohet menjëherë në debat të pastër politik e partizan, duke devijuar nga thelbi i vërtetë i tij. Në qoftë se do të vendoseshim në pozicionin e pastër të ekspertëve ekonomikë dhe do gjykonim në fokusin se gjithçka funksionon sipas logjikës ekonomike e financiare, FMN-ja i ka konsoliduar tashmë “rekomandimet” dhe kërkesat e saj. Gjatë gjithë kësaj kohe jemi cilësuar shpesh si “nxënësit e mirë të FMN-së”. Kemi patur një rritje ekonomike pothuajse konstante e të vlerësueshme, PBB/frymë ka ardhur vazhdimisht në rritje, inflacioni ka qenë vazhdimisht nën kontroll e brenda parametrave të planifikuara, etj. Pra, me fjalë të tjera, ekuilibrat tanë makroekonomikë kanë ardhur në stabilizim e performancë të vazhdueshme, aq sa në shumë vlerësime e klasifikime ndërkombëtare përmendemi pozitivisht për këtë fakt.
“Thembra e Akilit” mbeten tre elementë të rëndësishëm të financave publike dhe sistemit tonë financiar: madhësia e borxhit publik e shprehur në përqindje ndaj PBB; deficiti buxhetor i shprehur gjithashtu në përqindje ndaj PBB, reformimi i sistemit të sigurimeve shoqërore, pa folur këtu edhe për domosdoshmërinë e rritjes së performancës së sistemit tonë statistikor. Çdo devijim nga standardet e FMN-së në këta tregues mund të provokojë një zinxhir efektesh të tipit: rritje çmimesh, inflacion, ulje të fuqisë blerëse, rritje të borxhit, pakësim të shpenzimeve publike, tronditje të ekuilibrave makroekonomikë, papunësi, zhvillim fiktiv e sipërfaqësor etj. Këto janë dhe temat apo zërat që përbëjnë nga njëra anë thelbin e politikave, zgjedhjeve dhe vendimmarrjes së qeverisë, dhe kundërshtimeve apo propozimeve alternative të opozitës në kuadrin e gjerë të miratimit të buxhetit vjetor apo atij afatmesëm. Pra, në fund të fundit, bëhet fjalë për një zgjedhje, preferencë, buxhet apo paketë fiskale, ku vendimmarrësit janë qeveria, parlamenti dhe politika shqiptare. Mbas 17 vite tranzicioni dhe eksperiencash të mira e të këqija siç ishte p.sh., kriza e piramidave të 1997, të gjithë jemi të bindur se cila është rruga që duhet të ndjekim me financat dhe politikat tona ekonomike.
Pse “trembet” FMN-ja dhe çfarë rreziku evidenton ajo në rastin eventual të përfundimit të misionit të saj? Më shumë se gjithçka theksohet “ekonomia e vendit mund të kërcënohet nga shpenzimet buxhetore që mund të bëhen për efekt të fushatës elektorale, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë kur në vend janë zhvilluar zgjedhje”. Ajo kërkon që të paktën në ligjin organik të buxhetit apo në legjislacionin tonë fiskal të ketë një përcaktim të qartë në lidhje me madhësinë e deficitit buxhetor nën 4% apo borxhin e brendshëm nën 60% të PBB. Prania e ligjeve të kësaj kategorie do t’i disiplinonte institucionalisht këto shpenzime. Pse shqetësohet opozita? Sepse, sipas saj, prezenca e FMN-së nuk do ta lejonte qeverinë të bënte aventura me shpenzimet buxhetore në funksion të zgjedhjeve, siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri. Cili është pozicioni i ekspertëve? Përgjithësisht bien dakord se “ekzistenca e FMN-së do të ishte një lloj kufizimi në këtë situatë dhe një shtyrje e mandatit të saj të paktën edhe për një vit do të ishte një garanci më shumë”.
Pra, në fund të fundit, më shumë se sa dilema, FMN dhe rekomandimet e certifikimet e saj për performancën e sistemit tonë financiar, duket sikur kihet më shumë nevojë për një “kujdestar” apo tutor, nganjëherë dhe mjaft të rreptë e ndëshkues, se sa për një ekspertizë orientuese apo këshilluese. Për një gjë ndoshta duhet të jemi të bindur. Eksperiencën pozitive nga prezenca dhe roli i FMN-së e kemi të plotë. Prezenca e saj si këshilluese e qeverive shqiptare do vazhdojë të jetë edhe për një kohë të gjatë. Ne do vazhdojmë anëtar dhe kontribuues të saj. Rruga dhe politikat më efektive i kanë të qarta treguesit dhe indikatorët e tyre. Në horizont, shumë shpejt duket se do t’i atashohemi një “tutele” tjetër, asaj të kritereve të BE-së, proces që tashmë e kemi filluar në shkallë të gjerë. Mbetet shpejtimi i arritjes së statusit të vendit kandidat që prezenca e BE-së të jetë e plotë.
Në këtë rast, ajo që mbetet është përgjegjshmëria e qeverisë në vendimet e saj dhe niveli i kompetencës së institucioneve dhe politikës sonë, shpërdorimi i së cilave duhet të ketë si alternativë të vetme sanksionimin me votë. Të kërkosh me çdo kusht një kujdestar, qoftë edhe mbas zgjedhjeve, do të thotë se edhe ti vetë nuk ke besim se mund ta bësh mirë menaxhimin e financave publike dhe politikave ekonomike. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›