Dimal Basha takohet me Osmanin: Kuvendi s’duhet të bllokohet, ka presion edhe nga ndërkombëtarët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka zhvilluar një takim me presidenten Vjosa Osmani në lidhje me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Basha ka kërkuar vijimin normal të punës së Kuvendit, duke u shprehur se moszgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb nuk mund të bllokojë funksionimin e institucioneve.
Ai theksoi se në lidhje me këtë çështje ka presion edhe nga ndërkombëtarët.
“S’ka logjikë të bllokohet Kuvendi i Republikës për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari. I kemi pesë anëtarë në Kryesi. Të vazhdojë rrjedhja e afatit për caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale siç na presin qytetarët. Kemi edhe trysni dhe kërkesa nga miqtë ndërkombëtarët që të vazhdojë puna e Kuvendit”, tha ai.
Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit, e thirrur nga kryetari i ri, Dimal Basha. Në mbledhje morën pjesë nënkryetarja Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja nga komunitetetet, Emilia Rexhepi, ndërsa munguan nënkryetarët e PDK-së e LDK-së.
Kryesia e re aktualisht përbëhet nga kryetari DimalBasha, dhe nënkryetarët Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilja Rexhepi.
/rtsh.al/