Dimërimi i bletëve, masat kyçe për mbrojtjen e kolonive gjatë stinës së ftohtë

Me uljen e temperaturave, dimërimi i bletëve është një proces shumë i rëndësishëm për mbijetesën e kolonive. Gjatë kësaj periudhe, bletarët duhet të ndjekin disa rregulla bazë për të mbrojtur bletët nga i ftohti dhe sëmundjet. Një ndër këshillat kryesore është që në temperatura të ulëta bletarët të mos hapin kosheret për kontroll ushqimi, pasi ndërhyrjet e panevojshme prishin mikroklimën e brendshme dhe dobësojnë koloninë.
“Me t’u hapur koha dhe të kemi temperatura mbi 13 gradë celcius, automatikisht duhet të shikojmë gjendjen e ushqimit të kolonive të bletës. Pasi nga ndryshimet klimatike ka shumë probleme, pasi bleta mund ta ketë konsumuar ushqimit dhe infeksioneve, mund të kemi probleme që bleta na humbet nga mungesa e ushqimit”, deklaroi Kledian Kosturi, Kryetar i Shoqatës së Bletërritësve, Korçë.
Kosturi thotë se po aq e rëndësishme është që bletët të futen në dimër të mjekuara, si një parakusht për një dimërim të suksesshëm. Në Qarkun Korçë, vitet e fundit nuk janë shënuar humbje të mëdha të bletëve dhe kjo ka ardhur si rezultat i ndërgjegjësimit të bletarëve, të cilët kanë kryer në kohë trajtimin dhe kurimin e kolonive.
“Kemi humbje nga pakujdesia por nuk ka ndikuar shumë sepse bletarët e Korçës janë më të zhvilluar në këtë aspekt dhe siç i humbasin ashtu dhe i rikuperojnë brenda sezonit dhe jo të kemi mungesa në vitin e ardhshëm”, shtoi ai.
Specialistët e bletarisë apelojnë që këto praktika të vijojnë të zbatohen, pasi kujdesi i duhur gjatë dimrit ndihmon në ruajtjen e bletëve dhe garanton një sezon më të mirë prodhimi në pranverë.