E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri shkon. Kthehet normaliteti.

ARTAN HOXHA

1. Dimri po shkon. Ai demonstroi gjatë dy javëve tërë fuqinë e vet të egër e të rrezikshme përmes më së bukurës së tij – dëborës. Këtë sezon, dimri theu çdo rekord të regjistruar më parë në sasinë e reshjeve, trashësinë e dëborës, ortekët, erërat e forta, temperaturat e ulëta, akullin – aq sa ngriu edhe liqeni i Fierzës. Dëbora mbuloi mbi gjysmën e vendit, bllokoi dhjetëra komuna e disa herë më shumë fshatra, ndërsa kërcënoi me bllokim edhe qytetet në krahinat malore të vendit. Natyra imponoi emergjencën dhe mobilizimin total. Pas dy javësh, bilanci tërësor duket pozitiv.
2. Sipas raportimeve mediatike dhe/ose zyrtare, u shënuan vetëm tri raste të humbjes së jetëve njerëzore. Vetëm një rast vdekjeje shkaktuar drejtpërdrejt nga të ftohtët për shkak të izolimit në mal, në kryerje të detyrës, të një tekniku antenash në Has, ndërsa kolegu i tij u shpëtoi kthetrave të vdekjes. Vetëm një rast i humbjes së foshnjës nga një nënë e re prej një barre në vetvete e komplikuar. Në pamundësi totale të fluturimeve, nëna i shpëtoi vdekjes falë solidaritetit njerëzor demonstruar nga dhjetëra burra të fshatit që marshuan me vendosmëri, çanë dëborën dhe e dorëzuan te personeli mjekësor në pikën më të afërt të mundshme të lëvizjes së autoambulancës. Vetëm një rast vdekjeje, gjatë transportit me helikopter, i një të moshuari 83-vjeçar, prej kohësh i sëmurë nga zemra.
3. Gjatë ditëve të emergjencës nuk u raportua asnjë rast kur kërkesa për urgjencë mjekësore në thellësi të zonave të bllokuara të mos ketë gjetur përgjigjen më të parë të mundshme nga ajri a toka. Inkursionet e shpëtimit me helikopterë apo me mjete rrugore të transportit civil dhe/ose ushtarak dërguan në spitale me dhjetëra qytetarë në kushte urgjence shëndetësore. Këtu riveçoj idenë e zhvendosjes së nënave shtatzëna në muajin e shtatë që jo vetëm u tha, por edhe u zbatua me shpejtësi sapo u krijuan kushtet për fluturime nga ndryshimet e favorshme të motit.
4. Dhjetëra banorë të tjerë morën ndihmën e nevojshme shëndetësore në komunat e fshatrat e tyre nga personeli mjekësor atje, i mirëfurnizuar para dhe gjatë emergjencës. Pikat e magazinimit në brendësi të krahinave malore janë rifurnizuar me medikamente që në nëntor e deri në janar. Vëzhgimet në terren këto ditët e fundit tregojnë se emergjencat mjekësore ishin të kufizuara edhe për sëmundjet tipike dimërore. Nuk shënohet as edhe ndonjë rritje e theksuar e rasteve me thyerje nga rrëshqitja për shkak të akullit e që tregon edhe për një sjellje të kujdesshme të banoreve të këtyre zonave.
5. Bllokimi nuk shkaktoi kurrkund uri. Në fakt, as që lindi nevoja për inkursione shpëtimi kundër urisë, ndryshe nga çmund të ketë menduar ndokush a çu trajtua në disa raportime sporadike në media a diskutime të ndezura politike opozitare. Komunitetet malore, me eksperiencë shekullore në përballjen me dimrin, krijojnë rezerva të mjaftueshme ushqimore. Rreziku nga uria nuk ka kërcënuar as familjet e vobekta. Jo se ska të tilla. Përkundrazi. Në zonat malore niveli i varfërisë relative është më i lartë se kudo në Shqipëri, por ajo nuk është varfëria afrikane për bukën e gojës dhe e pashpresë, siç keqinterpretohet a keqkuptohet ndonjëherë.
6. Efektet e dimrit mbi ekonominë, kryesisht blegtorale, të zonave malore, janë ende të panjohura në detaje. Gjithsesi, informacionet e marra në mënyrë operative gjatë ditëve të bllokimit, si dhe në këto ditë të para kur shumica e rrugëve rurale janë zhbllokuar nga dëbora tregojnë që jo vetëm nuk ka pasur ndonjë katastrofë mbi gjënë e gjallë, por as edhe dëme të konsiderueshme. Megjithatë, një vlerësim i kujdesshëm i rasteve, qoftë edhe të izoluara dhe zbatimi i mekanizmave rigjallërues të ekonomive të dëmtuara blegtorale e bujqësore, është një nga çështjet e para për tu adresuar.
7. Fshatrave të bllokuara, kryesisht atyre më të veçuara e më të largëta, në shumë raste u ka munguar energjia elektrike. Përmasat e këtij problemi janë ende të panjohura. Riparimi i shpejtë i linjave të furnizimit është prioritet absolut. Analiza e shpërndarjes së defekteve, e shkallës së ndërhyrjes operative gjatë emergjencës dhe e riparimeve të mëpasshme do të tregojë edhe shkallën e riskut të sistemit të shpërndarjes në raport me emergjenca të këtilla natyrore, duke mundësuar edhe një orientim më të përshtatshëm të investimeve për fuqizimin e rrjeteve. I njëjti konkluzion shërben edhe për telekomunikacionin, me tel apo me valë, problemet e të cilit ishin mjaft më të vogla se ato elektrike.
8. Çështja e energjisë elektrike ishte, në fakt, në përmasat e emergjencës kombëtare dhe mbetet ende e këtillë. Niveli i ulët i ujit në rezervuarët e kaskadës së Drinit nga një anë dhe niveli i tejrritur i konsumit kombëtar nga ana tjetër, imponuan importimin e sasive kolosale të energjisë në kushtet e emergjencës energjetike ballkanike e më gjerë. Sigurimi i furnizimit kombëtar edhe në këto ditë kaq të vështira mund të quhet, me plot gojë, një sukses i sistemit energjetik kombëtar, përfshirë këtu sigurinë dhe gatishmërinë në tërësi të sistemit të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, mirëfunksionimit të modelit ekonomik me bazë tregu të këtij sistemi tashmë në provë prej disa vitesh dhe mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit.
9. Bllokimi i rrugëve të transportit ishte problemi më parësor që komplikonte çdo problem tjetër. Edhe vetë komunitetet e këtyre zonave, sipas raportimeve mediatike dhe bisedave të drejtpërdrejta telefonike, ritheksojnë bllokimin e rrugëve si të vetmin problem, pasi të tjerat i zgjidhin vetë. Potenciali dimëror i bllokimit të rrugëve ishte i paparë ndonjëherë. Në rrethana të njëjta do të ishin bllokuar edhe rrugët kombëtare e, bashkë me to, edhe qendrat e mëdha urbane të këtyre zonave. Në fakt, u bllokuan vetëm zonat rurale. Edhe brenda tyre u bllokuan, vetëm për pak ditë, rrugët deri në qendrat e komunave, ndërsa rrugët drejt shumicës se fshatrave mbetën të bllokuara përgjatë gjithë dy javëve e shumëkund edhe më gjatë.
10. Aksioni i përditshëm shtetëror e privat u përqendrua në mbajtjen hapur të arterieve kryesore rrugore. Ndryshimet e vazhdueshme të motit ribllokonin këto arterie, ndaj rihapja bëhej e domosdoshme. Shkalla e mobilizimit njerëzor në aksionin zhbllokues të rrugëve vlen të lavdërohet. Edhe sasia e mjeteve të vëna në punë ishte e jashtëzakonshme. Por, autoritetet shtetërore të mirëmbajtjes së rrugëve duket se nuk kanë akumuluar ende eksperiencën e nevojshme përballë situatave të këtilla. Kjo është e kuptueshme, pasi Shqipëria nuk ka eksperiencën dhe, pra, as shprehitë që janë një rutinë në vendet me dimër zakonisht të ashpër, siç është edhe rasti i Kosovës, porse kjo emergjencë shtron nevojën e krijimit të praktikave në standardet më të avancuara për të ardhmen.
11. Media në tërësi informoi intensivisht e në mënyrë të balancuar të gjithë situatën në shumëllojshmërinë e problemeve dhe shpërndarjen gjeografike të tyre. Mjaft gazetarë u kuturisën në thellësi të zonave përmes fluturimeve me helikopter apo lëvizjeve me mjete tokësore të transportit, duke sjellë lajme nga brendësia. Alarmet mediatike për dy-tri raste familjesh të supozuara të humbura në thellësi të maleve u verifikuan si të pavërteta nga inspektimet ajrore të forcave ushtarake. Shumë mirë që u ngrit alarmi nga media. Aq më mirë që lajmi mbrapsht, të enjten e kaluar, ishte i gëzueshëm dhe u vuri kapak shumë hamendësimeve të lindura apo të mbarsura për të lindur.
12. Strukturat e Emergjencës Civile ngrihen dhe drejtohen nga lart-poshtë dhe hyjnë në veprim, sipas llojit të emergjencës, si rregull, nga poshtë-lart. Koordinimi vertikal dhe horizontal i shumë institucioneve shtetërore, civile apo ushtarake, qendrore apo vendore, është thelbësor në përballjen e suksesshme të emergjencave. Duket se koordinimi funksionoi, në tërësi, mjaft mirë p

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›