E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri i Vetmise... do ti kthehet Kadarese

Gjykata e Tiranës vendosi që të detyrohet e veja e Enver Hoxhës t’i kthejë shkrimtarit Ismail Kadare dorëshkrimin "Dimri i Vetmisë së Madhe".

Vendimi u dha nga gjyqtari Bledar Abdullai, i cili deklaroi se në bazë të nenit 212 të Kodit të Proçedurës Civile të ligjërohet masa e sigurimit të objektit të padisë, i lejuar me një vendim të mëparshëm të kësaj gjykate, kur dorëshkrimi origjinal iu dorëzua Arkivës së Shtetit.

Gjyqtari vlerësoi se pretendimi i Nexhmije Hoxhës, në të cilin thuhet se dorëshkimi i është dhënë në posedim në vitin 1975, rezulton i pabazuar në prova, sidomos në pjesën ku ajo pretendon se i është dorëzuar nga vetë shkrimtari në zyrën e saj.

Fakti që paditësi në mënyrë të përsëritur ka shprehur konsiderata mirënjohjeje përgjatë viteve 1971-1973 kundrejt të paditurës, tha gjykata, rezulton i provuar në prova shkresore të administruara në dosjen gjyqësore.

Konkretisht, në letra në të cilat Kadare i drejtohet palës së paditur për çështje të ndryshme me karakter subjektiv, social, profesional dhe personal.

Edhe fakti që dorëshkrimi i “Dimrit të Vetmisë së Madhe” është në pronësi të Nexhmije Hoxhës, tha gjykata, nuk u provua gjyqësisht, çka do të thotë sipas gjyqtarit Abdullai se sapo vendimi të marrë formë të prerë, masa “sekuestro konservative” do të kthehet në “sekuestro ekzekutive”, duke detyruar Drejtorinë e Arkivave t’ia dorëzojë dorëshkrimin zotit Kadare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›