E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamika e atentatit në Lezhë, si u vra babai i Roan Brahimit, ja çfarë dyshohet

Lezha u trondit këtë mbrëmje nga një ekzekutim me armë, ku viktimë mbeti 64- vjeçari, Gjovalin Prendi. Viktima është babai i Sidorel Prendit, i njohur ndryshe si Roan Brahimi, të cilit iu bë atentat mafioz në maj të vitit të kaluar në mes të Athinës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, pranë lokalit të Gjovalin Prendit. Burimet bëjnë të ditur se autorët kanë përdorur dy makina, Porsche Cayenne. Në rrugë jo zyrtare është mësuar se bëhet fjalë për të paktën 4 persona të përfshirë të moshës 30-35 vjec.

Nga breshëria e plumbave 64- vjeçari mundi të mbijetojë vetëm pak minuta derisa u transportua në spital, por fatkeqësisht nuk ia doli dot, pasi kishte marrë plagë të shumta.

Ekzekutimi i Gjovalin Prendit vjen afërsisht një vit nga vrasja e të birit. Roan Brahimi humbi jetën në lagjen Vyronas, në prani të gruas së tij dhe djalit të tij të mitur, nga breshëria e tre kallashnikovëve. Sidorel Prendi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e të afërmit të Ervis Martinajt, Brilant Martinaj. Përplasjet e tij me të zhdukurin Ervis Martinaj dyshohet se kanë të bëjnë me pazare të lojërave të fatit.

Ndaj kjo ka shtuar dyshimet se atentati i sotëm ndaj babait të tij mund të ketë lidhje edhe me ngjarje të mëparshme ose një hakmarrje e mundshme për to. Megjithatë kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht, ndaj do të jenë hetimet e prokurorisë që do të hedhin dritë mbi krimin.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›