Dinamo 4×4, dominim absolut i bluve në derbit e kryeqytetit për këtë sezon

Fitorja në derbin me Partizanin ishte e katërta për Dinamo City në po kaq ndeshje të luajtura ndaj kundërshtarëve të kryeqytetit. Skuadra e trajnerit Ilir Daja në gjysmën e parë të sezonit ka regjistruar 2 fitore ndaj Tiranës dhe 2 fitore ndaj Partizanit.
Dominimi i bluve ka qenë absolut në këto 4 derbi, siç tregojnë shifrat. Dinamo City ka marrë 12 pikët e mundshme dhe për më tepër ka qenë bindëse në lojë, duke krijuar edhe shumë raste të tjera shënimi.
Kundër Tiranës 18 herë kampionët e vendit fituan 2-1 fazën e parë në “Selman Stërmasi” dhe 6-2 fazën e dytë në “Air Albania”. I vetmi derbi i luajtur jashtë kryeqytetit ishte ai i fazës së parë ndaj Partizanit, që Dinamo City e fitoi 0-2 në “Elbasan Arena”. Dhe derbi i fundit, i luajtur dje në “Arena e Demave”, pati diktatin e skuadrës së Dajës, që triumfoi 1-3.
Këtë sezon blutë janë dukshëm më lart se dy skuadrat e tjera të kryeqytetit. Tirana mban vendin e fundit dhe ka pak gjasa të mbetet mes më të mirëve të futbollit shqiptar, Partizani e sheh veten në vend të 6-të, kurse Dinamo City është e treta dhe pretendon titullin kampion.
Nëse vazhdon me këtë ritëm deri në fund të kampionatit, derbit do të jenë një bonus i mirë për trajnerin Ilir Daja dhe të besuarit e tij.