E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo City në finalen e Kupës së Shqipërisë, mposht Vllazninë në “Loro Boriçi”

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Dinamo City do të përballet me Egnatian në finalen e Kupës ë Shqipërisë, që do të zhvillohet më 13 maj, pasi eliminoi në gjysmëfinale Vllazninë.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, fituese e këtij kompeticioni edhe sezonin e kaluar, siguroi kualifikimin falë fitores 1-0 në ndeshjen e kthimit të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ndërsa takimi i parë ishte mbyllur në barazim 1-1.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku vendasit tentuan që në minutat e para me Kevin Dodaj, por tentativa e tij nuk gjeti kuadratin. Më pas ishte Bekim Balaj që pati një mundësi të mirë për Vllazninë, por nuk arriti të finalizonte.

Dinamo reagoi në minutën e 26-të me një aksion të ndërtuar nga Vilan, që shërbeu për Dejvi Bregu, por ky i fundit u ndal nga portieri Jukaj. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat krijuan raste, me Dinamon që rrezikoi nga goditjet standarde dhe Vllazninë që u përgjigj me Malën dhe Balajn, por pa sukses.

Goli vendimtar erdhi në minutën e 75-të, kur Dejvi Bregu realizoi një aksion individual, duke dribluar mbrojtjen kundërshtare dhe duke dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1-0.

Në minutat e mbetura rezultati nuk ndryshoi, duke i dhënë Dinamos kualifikimin për të dytin vit radhazi në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa Vllaznia do të fokusohet tashmë në garën e kampionatit.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›