Dinjiteti i punës dhe turpi i përtacisë
Gëzim Tushi
Është e sigurt që beteja dhe lidhjet e njeriut me botën e punës janë bërë jo vetëm relacioni më i rëndësishëm, por edhe lidhja me peshë më vendimtare e jetës së njeriut. Puna dhe mënyra e intervenimit në botën e punës, është bërë edhe për shoqërinë shqiptare ndoshta shqetësimi më i rëndësishëm, faktori që ndikon drejtpërdrejtë në situatën ekonomike të njerëzve në nevojë. Sepse varfëria është problemi individualisht më ndikues, më ekzistencial për ata njerëz që jetojnë në varfëri.
E vërteta wshtw se jashtë marrëdhënieve të punës, personaliteti i njeriut është materialisht i dobët dhe shoqërisht i kufizuar. Asnjë vlerë tjetër e njeriut që është e krijuar apo që funksionon jashtë botës së punës nuk ka vlerë të plotë, nuk njihet ose në rastin më të mirë mbetet përgjithësisht anonime dhe jo aq shumë e vlerësuar nga shoqëria.
Transformimet e thella, përmbysjet radikale që kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare, kanë krijuar bindjen sociale, se njerëzit gjithnjë e më shumë po vlerësohen nga rolet që luajnë, vendi që zenë në mekanizmin shoqëror të prodhimit dhe fitimit. Kjo, na vjen mirë apo ndihemi keq, është bërë masa e vlerës së njeriut të kohës sonë. Jashtë botës së punës është e pamundur që të ketë tjetër sistem vlerësimi social, apo të gjendet një masë tjetër vlerash, për përcaktimin e personalitetit individual, për të vlerësuar rolin social të njeriut. Këto raporte dhe realitetet të ndryshuara të njeriut me punën, kanë nxjerrë në plan të parë një sistem të ri të ndryshuar vlerash, që janë pragmatike dhe utilitare, që kanë rëndësi fondamentale për organizimin dhe orientimin e suksesshëm të jetës vetjake.
Puna dhe mënyra e lidhjes së njeriut me të përbën me sa duket masën kryesore të vlerësimit të vlerës së jetës dhe përcakton përmbajtjen e suksesit për njeriun. Në këtë kontekst, vlerat e jetës moderne jo domosdoshmërisht janë ekuivalente dhe tërësisht të përputhura, vetëm me lidhjet që ka njeriu me strukturat sociale.
Së pari dhe mbi të gjitha, janë raportet e tij personale me punën, ndikimet e veprimtarisë së tij në produktivitetin dhe përparimin social të shoqërisë, me famën, paranë, pasurinë, reputacionin publik, edukatën, sjelljen, etj. Në shoqërinë shqiptare iku koha kur vlera sociale e njeriut ishte entitet i mbyllur në vetvete. Çmimi i saj nuk përcaktohet nga ontologjia e tipareve shpirtërore të njeriut, apo nga raportet që ai ndërton me organizmimet dhe strukturat sociale të jetës. Edhe ato kanë rëndësi, por vlera e tyre është në rënie. Duam apo nuk duam, në raport me punën njeriu është bërë një instrument i përdorshëm, të cilit i vlerësohen aftësitë, dijenitë, shkathtësitë, suksesi personal.
Në kohën e sotme nuk ka asnjë vlerë njeriu që vuan nga përtacia, që nuk është vetëm ves social, por është bërë edhe mënyrë e jetesës individuale për shumë njerëz që për faj të tyre jetojnë në varfëri. Njeriu që jeton në varfëri nuk ndihet mire, jo vetëm nga ana ekonomike, por dhe ana sociale. Sidomos nga pikëpamja morale. Sepse dembelizmi dhe përtacia që janë shkaqe që duhen përfillur dhe vlerësuar si shkaqe madhore për situatën e varfërisë. Ajo është dhe duhet konsideruar turp personal për njeriun, që subjektivisht nuk ka dëshirë të verë në lëvizje mendjen dhe trupin për të punuar, duke synuar kështu realizimin e dinjitetit dhe mirëqenien personale dhe familjare.
Duke vëzhguar këtë fenomen të përhapur shumë në shoqërinë tonë, sidomos gjatë kohës së zgjatur të tranzicionit, mund të themi pa frikë se dembelizmi, përtacia, mungesa e angazhimit dhe mungesa e disponimit personal dhe shpirtit të sakrificës për të punuar me cdo kusht, tek disa njerëz është sindromë personale në përmasa sociale dramatike. Kjo është arsyeja pse janë shtuar njerëzit që në vend të fajësojnë përtacinë, të gjejnë tek vetja shkaqet e sëmundjes së dembelizmit dhe të lufojnë efektet negative të këtij mikrobi social, përpiqen që ti gjejnë shkaqet e situatës ekonomike dhe varfërisë personale, në arsye që janë në të gjitha rastet jashtë tyre, duke bërë përgjegjëse krizën, ekonominë e tregut, politikat e punësimit, etj.
Natyrisht të gjitha kanë rolin dhe përgjegjësinë e tyre në procesin e integrimit të njerëzve tanë në botën e punës. Por kryesori dhe mbi gjithcka mbetet aftësia dhe vullneti personal për tu përshtatur me kërkesat e tregut të punës, dëshira për të punuar në cdo punë, për të gjetur me vullnet personal rrugën e daljes nga turpi i përtacisë. Së pari duke luftuar me mikrobin e dembelizmit që është shkaku thelbësor, tejet individual i sëmundjes së përtacisë më shumë ndikim në situatën e personalizuar të varfërisë. Një pjesë prej tyre nuk kanë kuptuar ose nuk duan të kuptojnë se koha moderne, liria dhe kërkesat e ekonomisë së tregut janë të tilla, që nuk mund të bashkëjetojnë me sëmundjen dembelizmit, zgjerimin e mikrobit të përtacisë apo sindromën negative të shpjegimit të situatës ekonomike personale, vetëm me pengesat që sjellin faktorët socio-ekonomikë që janë jashtë njeriut.
Nëse vlerësojmë realitetin tonë social dhe vëmë në balancë patologjitë e reja të modernitetit në lidhjet e njeriut me botën e punës, do të konstatojmë se shfaqja e sëmundjes së përtacisë dhe përhapja e mikrobit të dembelizmi, janë tregues të sigurt të problemeve ekonomike dhe sociale që duhet të përballojë së pari njeriu individualisht. Pa mohuar edhe detyrimet që ka edhe shteti dhe shoqëria. Ato mbeten sëmundje sociale me peshë, të cilat sociologët i konsiderojnë përbërës ontologjikë të modernitetit.