E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia amerikane në lëvizje, Kushner dhe Witkoff vizitojnë Rusinë dhe Ukrainën këtë fundjavë për bisedime paqeje

Të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff pritet të vizitojnë Rusinë dhe Ukrainën gjatë fundjavës, në kuadër të përpjekjeve për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje në konfliktin që ka përfshirë rajonin prej më shumë se katër vitesh e gjysmë.

Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi lajmin duke cituar një burim të paidentifikuar, ndërsa Kremlini deklaroi se mundësia e një zgjidhjeje paqësore mbetet, por nuk ka bazë të fortë për momentin. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se “çdo kontakt do të njoftohet kur ato të zhvillohen”, pa konfirmuar vizitën e negociatorëve amerikanë.

Një burim i njohur me çështjen bëri të ditur se bisedimet për vizitën në Ukrainë po vazhdojnë dhe se 6 shtatori është përmendur si datë e mundshme.

Më 3 shtator, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se pala ukrainase kishte marrë njoftim për vizitën, duke theksuar se “Presim të shohim përfaqësues të presidentit amerikan këtu në Kiev… Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mbeten aktive. Ne jemi të gatshëm të takohemi me ta në Ukrainë për diskutime kuptimplote.”

Megjithatë, një zyrtar ukrainas paralajmëroi se vizita mund të mos ndodhë, për shkak të bombardimeve të pandërprera me dronë rusë që kanë goditur Kievin për tetë ditë rresht deri më 3 shtator.

Nëse vizita realizohet, do të jetë hera e parë që Kushner dhe Witkoff shkelin në Ukrainë, pas takimeve të shumta në Moskë me presidentin Vladimir Putin dhe zyrtarë të lartë rusë.

Ndërkohë, hendeku midis Rusisë dhe Ukrainës mbetet i madh. Putini ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina t’i dorëzojë më shumë territor Rusisë, gjë që Kievi e refuzon kategorikisht. Bisedimet e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA u zhvilluan në shkurt, pak para se SHBA dhe Izraeli të kryenin sulme ndaj Iranit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›