E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia e Reaganit

Time

Shembja e Murit të Berlinit e ka zënë botën në befasi. Për muaj me radhë, regjimi komunist i Gjermanisë Lindore tentoi të heshtë lëvizjen gjithnjë e më të fuqishme të opozitës dhe të ndalë valën e njerëzve, të cilët po largoheshin nga vendi. Në mbrëmjen e 9 nëntorit të vitit 1989, zyrtarët e Gjermanisë Lindore mbajtën një konferencë për shtyp, për të kumtuar politikat e reja të qeverisë për lirinë e udhëtimit, por ata në mënyrë të pavëmendshme kumtuan gjithashtu edhe lajmin se kalimet kufitare me Perëndimin do të hapen pa asnjë vonesë.

Brenda vetëm disa orëve, me mijëra banorë të Berlinit Lindor filluan të rreshtohen para postblloqeve në afërsi të murit. Fillimisht, rojtarët kufitarë bënë përpjekje të kontrollojnë pasaportat, por me shpejtësi kuptuan se kjo masë nuk kishte kurrfarë kuptimi, Turma e njerëzve kaloi kufirin. Një numër i madh i banorëve të Berlinit Perëndimor po prisnin në anën tjetër të kufirit, duke përqafuar të huajt dhe duke hapur shishet e shampanjës. Skenat ishin të jashtëzakonshme. Të paktë ishin ata që besonin se muri do të shembej së shpejti.

Por këtë e besoi Rinald Reagani. Nuk e di se kur do të ndodhë, por më duhet tju them se jam një optimist i përhershëm, deklaroi atë mbrëmje ish-presidenti amerikan, në intervistën dhënë kanalit televiziv ABC.

Dy vite më herët, Reagan iu adresua turmës prej 20 mijë njerëzve, të tubuar afër portës së Brandenburgut, me çrast sfidoi presidentin sovjetik, Mikhail Gorbachev, duke kërkuar nga ai që ta rrezojë murin. Atëbotë, madje edhe këshilltarët më të ngushtë të Reaganit këtë e cilësuan si një mundësi tejet të largët.

Është ky një fjalim i mrekullueshëm, i kujtohet të ketë menduar këshilltari i atëhershëm për siguri kombëtare i Reaganit, Frank Carlucci. Kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Sidoqoftë, pa rrënimit të murit, fjalimi i Reaganit u ngulit në mendjet e amerikanëve. E kërkoni një deklaratë, me të cilën e mbani në mend një president. Bill Clintoni kujtohet me deklaratën: Nuk kam pasur seks me atë femër. Por cila është deklarata, me të cilën kujtohet Reagani? Me një deklaratë: Zoti Gorbachev, rrënojeni këtë mur, thotë Ken Duberstein, ish-shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë, i cili shoqëroi Reaganin gjatë vizitës së tij në Berlin.

Tani, 20 vjet më vonë, roli i Reaganit në rrënimin e murit dhe përfundimin paqësor të Luftës së Ftohtë mbetet i manipuluar dhe i keqkuptuar. Për shumë nga ithtarët e tij konservatorë, mënyra se si e sfidoi ai Gorbachevin në Berlin, nënvizon ashpërsinë e Reaganit, e cila e bëri atë të lavdishëm. Por e vërteta është se Reagan kishte aftësi për tu adoptuar dhe për të bërë kompromise. Përderisa të tjerët theksonin se armiqësia mes dy superfuqive është e paeliminueshme, Reagan insistoi se ndryshimet janë të mundshme. Sukseset më të mëdha Reagani nuk i arriti me përdorim të forcës, por me ndihmën e bindjeve, dialogut dhe diplomacisë.

Përkundër faktit se ai ka urryer murin, Reagan ka qenë i vetëdijshëm për pasojat e konfrontimit ushtarak me sovjetikët. Lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe një luftë e këtillë nuk duhet të zhvillohet kurrë, ka theksuar Reagan në vitin 1983.

Në vitin 2008, historiani Sean Wilentz shkroi se suksesi i Reaganit, në kuadër të përpjekjeve të tij për ti dhënë fund Luftës së Ftohtë, është një prej të arriturave më të mëdha të presidentëve të SHBA-së.

Cilat janë leksionet, të cilat mund të nxjerrë presidenti aktual amerikan nga kjo e arritur? Edhe përkundër faktit se Barack Obama po tenton të vendosë paqe me mullahët në Iran apo me kryengritësit në Afganistan, nuk ka garanci se ai do të ketë sukses. Kërcënimet me të cilat përballet Amerika nuk mund të injorohen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›