E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia parlamentare, studentët e “Science Po” njihen me progresin e Shqipërisë drejt BE-së

Kuvendi i Shqipërisë është kthyer këtë të hënë në një qendër diskutimi mbi diplomacinë dhe integrimin, gjatë një takimi ndërgjegjësues të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE). Në fokus të bisedës me studentët e shoqatës “Bourgogne Balkans Express” nga Universiteti prestigjioz “Science Po” (Kampusi i Dijon), ishte roli i institucioneve ligjvënëse në procesin e negociatave dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Negociatat si proces konsolidimi

Takimi u hap nga Elda Zenelaj, Drejtoreshë e Sekretariatit Teknik të KKIE, e cila bëri një ekspoze të situatës aktuale të negociatave. Ajo vuri theksin te rëndësia e përfshirjes së shoqërisë civile dhe grupeve të interesit si një kusht për një proces integrimi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, e cilësoi anëtarësimin në BE si një etapë që tejkalon thjesht plotësimin e kritereve teknike.

“Anëtarësimi në BE për Shqipërinë është jo vetëm kulminimi i një procesi të gjatë, por edhe transformimi strategjik dhe konsolidimi institucional për vendin,” nënvizoi Gjonçaj.

Sipas tij, Kuvendi luan një rol kyç si lehtësues i procesit legjislativ, duke garantuar që ligjet kombëtare të jenë në harmoni të plotë me korpusin ligjor të BE-së (Acquis Communautaire).

Sfidat e zgjerimit dhe roli gjeostrategjik

Diskutimi u ndal edhe në dimensionin gjeopolitik të integrimit, veçanërisht në kontekstin e sigurisë rajonale. Gjonçaj theksoi se procesi i zgjerimit mbetet mjeti më i fuqishëm i Bashkimit Evropian për të siguruar qëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, Zenelaj njohu studentët francezë me rëndësinë e ndjekjes së rekomandimeve të lëna në progres-raportet e Komisionit Evropian. Ajo shpjegoi punën e vazhdueshme të Sekretariatit për të monitoruar përmbushjen e detyrimeve në të gjitha fushat, nga shteti i së drejtës te politikat ekonomike.

“Puna jonë fokusohet në përfshirjen e sa më shumë target-grupeve në proces, në mënyrë që diskutimi mbi integrimin të prekur çdo fushë të jetës shoqërore,” u shpreh Zenelaj.

Takimi vijoi me një seancë pyetje-përgjigje, ku studentët e “Science Po” shfaqën interes për sfidat specifike të Shqipërisë gjatë hapjes së kapitujve të negociatave, vështirësitë e procesit të screening-ut dhe perspektivën e zgjerimit të BE-së në dritën e sfidave të reja globale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›