Disfata e dyfishtë e Putinit/ Humbja e vetos së Budapestit dhe mbyllja e kanalit bankar. A do t’i mbijetojë “OTP Bank” tërmetit të rënies së Orban?

Qeveria e re e Peter Magyar pritet të ushtrojë presion mbi Bankën Kombëtare të Hungarisë për të rregulluar aktivitetet e OTP-së sipas standardeve të rrepta të Brukselit. Për rrjedhojë, Rusia do të humbiste urën kryesore financiare që i mundësonte anashkalimin e sanksioneve teknologjike dhe transferimin e kapitalit drejt tregjeve perëndimore…
Mos kini asnjë iluzion: Kremlini po e ndjen peshën e humbjes pas fitores historike të opozitës hungareze, e cila i dha fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán. Dhe goditja e parë dhe më e drejtpërdrejtë është ajo ideologjike.
Orbán ishte prova e gjallë se “demokracia joliberale” ishte e mundur, popullore dhe madje e qëndrueshme brenda Bashkimit Evropian. Rënia e tij dëmton këtë narrativë dhe krijon një precedent të pakëndshëm për mbështetësit e tjerë të Moskës.
Për ata që janë në pushtet, si në Sllovaki, apo edhe për ata që aspirojnë të vijnë, si në Gjermani e Republikën Çeke. Këto lëvizje bashkohen rreth nacionalizmit dhe kundërshtimit ndaj BE-së, duke mbështetur pretendimin rus se blloku evropian është një strukturë artificiale që shtyp dëshirën e njerëzve të zakonshëm.
Shumica e këtyre partive të djathta janë skeptike ndaj sanksioneve dhe ndihmës për Ukrainën. Edhe në këtë pikë, Viktor Orbán ishte pionier. Që nga viti 2022, Hungaria e ka penguar vazhdimisht zgjatjen e sanksioneve dhe ndarjen e fondeve ushtarake për Kievin përmes Fondit Evropian të Paqes (EPF), si dhe ka bllokuar procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Gatishmëria e Orbán-it për të bllokuar mbështetjen perëndimore u bë gjithnjë e më agresive. Në vitin 2024, ai bllokoi ndryshimet teknike që do t’i mundësonin Ukrainës një hua prej 50 miliardë dollarësh, duke pritur hapur rikthimin e Donald Trump në pushtet. Vetëm tre javë para zgjedhjeve të fundit, ai pengoi sërish një paketë ndihme prej 100 miliardë dollarësh, duke e kushtëzuar atë me rregullat e tranzitit të naftës përmes tubacionit “Druzhba”.
Në fakt, Orbán nuk ka qenë kurrë një pacifist parimor apo një aleat ideologjik i palëkundur i Rusisë. Karriera e tij nisi me qëndrime të forta anti-sovjetike. Megjithatë, ai u tregua një pragmatik i regjur, duke përdorur të drejtën e vetos për të nxjerrë përfitime maksimale për Hungarinë: fonde nga Brukseli, përjashtime nga sanksionet energjetike dhe dëmshpërblime tranziti.
Për Moskën, ky qëndrim ishte një dhuratë. Sepse ai jo vetëm që ngadalësoi masat anti-ruse, por i kushtoi BE-së kohë, para dhe kapital të çmuar politik. Me largimin e Orbán nga pushteti, Moska humbet frenin e saj kryesor në Bruksel.
Edhe pse Kremlini u përpoq zyrtarisht ta minimizonte këtë ngjarje përmes zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, i cili deklaroi se “nuk kanë qenë kurrë miq”, realiteti tregon të kundërtën.
Qeveria e re hungareze ka sinjalizuar tashmë një rindërtim të raporteve me BE-në, kryesisht për të zhbllokuar 30 miliardë eurot e ngrira nga Brukseli.
Në aspektin ekonomik, Budapesti shërbente si një urë financiare dhe energjetike. Hungaria mbetet një blerës i madh i gazit rus përmes kontratave afatgjata me Gazprom deri në vitin 2036, me një vlerë rreth 2.5 miliardë dollarë në vit.
Megjithëse financiarisht kjo nuk është jetike për buxhetin e Rusisë, për Gazprom-in – që e humbi tregun evropian – Budapesti ishte një nga pak klientët e mbetur. Situata është më komplekse me naftën. Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke gëzonin përjashtime nga sanksionet për importet përmes tubacionit “Druzhba”.
Me qeverinë e re hungareze, afati i vitit 2027 për shkëputjen përfundimtare nga nafta ruse bëhet shumë më realist, duke i kushtuar Rusisë rreth 6 miliardë dollarë humbje vjetore në shitje. Por humbja ndoshta më e dhimbshme për Rusinë është kanali financiar përmes Banka OTP.
Dega ruse e OTP-së është banka e 20-të më e madhe në Rusi dhe një nga të paktat që u ka shpëtuar sanksioneve të drejtpërdrejta amerikane. Ndryshe nga bankat e tjera evropiane (si Raiffeisen apo UniCredit) që rregullohen nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe janë nën presion të vazhdueshëm për t’u larguar nga Rusia, OTP rregullohet nga Banka Kombëtare e Hungarisë.
Nën qeverisjen e Orbán-it, banka qendrore hungareze nuk ushtroi asnjë presion mbi aktivitetet e OTP-së në Rusi, duke e kthyer atë në një kanal unik për operacionet ndërkufitare dhe anashkalimin e sanksioneve financiare.
Një administratë e re, pro-evropiane, ka shumë gjasa të mos e mbrojë më këtë aktivitet, duke vështirësuar zinxhirët e furnizimit dhe duke rritur kostot e transaksioneve për entitetet ruse.
Humbja e Orbán-it nuk është thjesht një ndryshim pushteti në një vend të vogël të BE-së. Ajo pëfaqëson shembjen e fortesës kryesore strategjike të Rusisë në Perëndim. Nga vetoja në Këshillin e BE-së te kanalet bankare dhe projektet bërthamore (si Paks-2), “pikëmbështetja” e Moskës brenda Bashkimit Evropian ka pësuar një dobësim që duket i pakthyeshëm. (Center for European Policy Analysis).
OTP Bank në Shqipëri
Banka hungareze OTP Bank është një prej bizneseve që njohu një ekspansion të fuqishëm në rajon nën pushtetin e Orban. Ajo hyri në Shqipëri në vitin 2019 me blerjen e bankës franceze “Societe Generale”, si pjesë e një vale të dytë zgjerimi.
Nuk është sekret se rritja galopante e OTP-së në rajon, veçanërisht në Shqipëri, nuk ishte një lëvizje vetëm me interesa tregtare. Ajo u konsiderua si një operacion gjeopolitik dhe OTP u perceptua si një mjet në duart e Viktor Orban për të shtrirë ndikimin e tij edhe në Ballkanin Perëndimor.
Jo më kot, një i djathtë si Orban, fitoi shpejt “simpatinë” e kryeministrit të majtë Edi Rama.
“Ka qenë një kënaqësi të punoj me Kryeministrin Orban dhe të shoh afrimin e Shqipërisë dhe Hungarisë. I uroj mikut tim të mirë Viktor gjithë të mirat në këtë kapitull të ri të jetës së tij” – shkruajti Rama në “X” pas humbjes në zgjedhje të Orban, duke konfirmuar afrimin e pazakontë mes tyre gjatë viteve të fundit.
Për vite me radhë, mbështetja e Orban për qeverinë Rama ka qenë e hapur dhe po ashtu, ajo ka shërbyer edhe si një garanci për bizneset hungareze në Shqipëri, përfshirë OPT Bank. Kjo garanci politike bëri që OTP të ishte prezente kudo ku kishte një projekt të madh, një koncesion apo një investim strategjik në Shqipëri.
A do t’i mbijetojë OTP Bank tërmetit të rënies së Viktor Orban? Të presim e të shohim…