Dita Botërore e Hipertensionit Arterial, aktivitet sensibilizues për qytetarët

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Në kuadër të Ditës Botërore të Hipertensionit Arterial, Instituti i Shëndetit Publik iu bashkua aktivitetit sensibilizues të zhvilluar në sheshin “Tajvani”, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë, Shërbimin e Mjekësisë Interne dhe Shoqatën e Mjekësisë Interne.
Aktiviteti u fokusua në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e kontrollit të tensionit arterial, diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të komplikacioneve që lidhen me hipertensionin arterial.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të kryenin matje falas të tensionit arterial, të konsultoheshin me profesionistë të shëndetit dhe të merrnin informacion mbi rolin që luajnë ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, shmangia e faktorëve të rrezikut dhe kontrollet e vazhdueshme mjekësore në ruajtjen e shëndetit kardiovaskular.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës globale “May Measurement Month (MMM)”, e cila do të vijojë përgjatë muajve maj–qershor në të gjithë vendin, duke promovuar matjen e rregullt të tensionit arterial dhe ndërgjegjësimin e popullatës.
Hipertensioni arterial mbetet një ndër sfidat kryesore të shëndetit publik, pasi shpesh nuk shfaq shenja paralajmëruese, ndërsa mund të çojë në pasoja serioze për zemrën, trurin dhe sistemin e qarkullimit të gjakut. Matja periodike e tensionit arterial është një hap i thjeshtë, por jetik, për parandalimin dhe kontrollin e tij.
/e.i/j.p/