Dita Botërore e Poezisë, Korça feston me vargje dhe emocione

Korça i është bashkuar festimeve të Ditës Botërore të Poezisë. Klubi i shkrimtarëve “Bota e Re” zhvilloi një aktivitet letrar, ku u mblodhën poetë, autorë dhe të rinj të apasionuar pas fjalës artistike për të përkujtuar rëndësinë e poezisë në jetën kulturore.
Nënkryetarja e klubit të shkrimtarëve “Bota e Re”, Gerta Bandilli, u shpreh se “Vlerësoj çdo njeri që ulet dhe shkruan dy vargje për jetën e përditshme, për miqësinë, për dashurinë. Por ka disa poezi të fuqishme që i kanë mbijetuar kohërave, kanë mbetur në letërsinë botërore, si një udhërrëfyes për njerëzit. Kjo është poezia e fuqishme.”
“Është një ditë që përmbledh një mjedis të bukur, një mjedis të paqtë, sepse vetë Pablo Neruda ka thënë që poezia është një akt paqeje” – u shpreh Arjan Kallço, sekretar i klubit të shkrimtarëve “Bota e Re”.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit interpretuan poezi me tematika të ndryshme, që nga dashuria dhe jeta, deri tek sfidat e përditshmërisë dhe reflektimet mbi shoqërinë. Korça është një qytet që e do poezinë dhe çdo vit sjell tashmë si një traditë të konsoliduar “Netët Korçare të Poezisë”, një festival mbarëkombëtar, i themeluar nga një prej emrave të njohur të poezisë shqiptare, liriku korçar Skënder Rusi, ku shpaloset krijimtaria e poetëve shqiptarë dhe të huaj.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/