TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mori pjesë dhe përshëndeti sot në veprimtarinë “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, organizuar në Porto Palermo, nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bashkinë Himarë, me rastin e Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Në këtë veprimtari morën pjesë të mbijetuar të kampit të Porto Palermos, përfaqësues të Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, deputetë, drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të qeverisjes vendore nga bashkitë Himarë, Sarandë dhe Konispol, i ngarkuari me punë i Ambasadës Hungareze, Dr. Ádám Lovassy, dhe qytetarë.
Në takim përshëndetën edhe kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula, rejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, kryetari i Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, Ethem Fezollari, si edhe treguan dëshmitë e tyre nga jeta në kampin-burg të Porto Palermos, Lek Pervizi, Lek Mirakaj, Dine Dine, Bibjan Mirakaj dhe Rudina (Dema) Mane.
U lexuan gjithashtu poezi nga libri “Porto Palermo fjalë guri dhe poezi të tjera”, i shkrimtarit Luan Rama. Në kalanë e Porto Palermos u hap ekspozita ne portrete të ish-të burgosurve të kalasë së Porto Palermos, e artistit Lek Pervizi.
Spiropali nënvizoi se, “23 gushti është shenjuar si Dita e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit nga Parlamenti Evropian. Një ditë homazh e kujtesë për ato dhjetra milionë jetë njerëzore të këputura në mes, ato drama e tragjedi personale e të gjithë shoqërisë njerëzore të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe ideologjive, dy skaje të të njëjtës humnerë, dy anë të të njëjtës monedhe kriminale siç ishte nazifashizmi dhe komunizmi”.
“Së paku dy vjet, 1949-1950, ky vend u tentua të bëhet varr ëndrrash dhe mal vuajtjesh të pafundme njerëzore. Por, dy Lekët, Mirakaj e Pervizi që ndodhen këtu, si të mbijetuar të asaj kohe të egër, janë dëshmia se asgjë në këtë botë nuk mund të jetë më e fortë se qenia njerëzore; se e liga i ra gurit dhe e theu, i ra njeriut dhe mbijetoi!
Një nga ata deshmitarë të dorës së parë, është dhe biri i Dhërmiut dhe gjithë Shqipërisë, shkrimtari antifashist Petro Marko! Kundërshtar i çdo regjimi, shpirt i lirë nga letërsia dhe ushtar i lirisë, Petro Marko, përpara se të mbyllej në internim në ishullin italian të Ustikës, u internua, siç shkruan vetë ai, në atdheun e vet, në fshatin e vet”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se, “sot, ne rikujtojmë me dhembje e respekt, 82 burrat, 62 gratë dhe 37 fëmijët, të cilët bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kësaj kalaje, për 13 muaj”.
“Persekutimi komunist është një pjesë e errët e historisë moderne të shqiptarëve.
Fatkeqësisht ende jo e njohur siç duhet; ende e paqortuar dhe kuptuar në gjithë kompleksitetin e saj; pjesë e një tragjedie që pushtoi gati gjysmën e botës dhe e bëri këtë botën tonë të vogël shqiptare të zymtë e tragjike. Kampi i Porto Palermos është gjithashtu një nga faqet nga më të dhimbshmet e saj. Ajo duhet studjuar, ekspozuar dhe njëlloj si viruset qe vriten kur dalin në dritë të diellit, duhet të ndriçohet nga drita e njohjes për tu ndarë përfundisht me të”, tha Spiropali.
“Përndekja që preku edhe Petro Markon, shenjoi në mënyrë të njëjtë, si të burgosur edhe komunistët në fillim kur luftonin për çlirimin e vendit, edhe antikomunistët më pas që dëshironin një Shqipëri me fytyrë nga perëndimi”, tha ajo.
Spiropali shtoi se, “në emër të drejtësisë sociale, gjatë dekadës së fundit, ligjet, politikat, programet dhe institucionet shtetërore janë marrë në mënyrë të posaçme me ish të persekutuarit dhe ish pronarët, këto dy grupe të respektuara, për të vendosur në vend padrejtësitë e totalitarizmit dhe rikthyer të drejtat e grabituara për ish pronarët dhe jetët e përgjakura për ish të persekutuarit”.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se, trajtimi i çështjes së viktimave të totalitarizmit, pasardhësve të tyre dhe ish të përndjekurve politikë, në kontekstin e një demokracie liberale, siç është sot shoqëria shqiptare, është një çështje komplekse.
“Në radhë të parë, është një çështje politike. Në sensin që shoqëria, shteti dhe institucionet, duhet të njohin katërcipërisht përmasat e kësaj traume politike e shoqërore.
Është një çështje ekonomike. Asnjë kompesim, sado i konsiderueshëm qoftë, nuk mund të kthejë jetët e humbura, të përgjakura e të gjymtuara. Ne duhet të krijojmë dhe synojmë të krijojmë kushtet që liritë ekonomike dhe tregjet e lira të jenë aksesi dhe destinacioni i këtij grupi shoqëror”, u shpreh ajo.
Spiropali e cilësoi edhe çështje ligjore duke theksuar se Kuvendi do të bëjë më të mirën për të plotësuar e përmirësuar legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dhe prosperitetin e ish- të përndjekurve, njohjen e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare.
1 nga 4