E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Shqipëria kremton çdo 29 shtator Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, një datë që i kushtohet pasurisë historike, artistike dhe shpirtërore të vendit dhe rëndësisë së ruajtjes së saj ndër breza.

E vendosur zyrtarisht në vitin 2003, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe për përgjegjësinë e shoqërisë për mbrojtjen e monumenteve, objekteve arkeologjike, traditave dhe dëshmive të së kaluarës.

Një nga ngjarjet që lidhet me historinë e mbrojtjes së trashëgimisë shqiptare është qëndresa e major Kamber Bënjës.

Ai lindi në Bënjë të Këlcyrës ndërsa mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik.

Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Ai mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri forcave austro-hungareze që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.

“Për këtë arsye, Kamber Bënja së bashku me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak, që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja është shpallur Dëshmor i Atdheut”, kujton Akademia e Shkencave.

Apolonia, një prej qendrave më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike në Shqipëri, mbetet një dëshmi e pasurisë së historisë së vendit. Historia e mbrojtjes së saj shërben edhe sot si kujtesë për rëndësinë e ruajtjes së vlerave kulturore.

Në këtë ditë, vëmendja rikthehet te trashëgimia si pjesë e identitetit kombëtar dhe te detyrimi për ta ruajtur atë. Nga monumentet dhe sitet arkeologjike te traditat, artizanati dhe kujtesa shpirtërore, trashëgimia kulturore përfaqëson një pasuri që i përket jo vetëm së shkuarës, por edhe brezave të ardhshëm.

29 Shtatori është, kështu, një ditë për të kujtuar historinë, për të vlerësuar pasurinë kulturore të vendit dhe për të forcuar angazhimin për mbrojtjen e saj.

/r.e//a.g/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›