E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare e Gruas, politika mesazhe urimi

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Në mbarë botën sot përkujtohet 8 Marsi, “Dita Ndërkombëtare e Gruas” për të nderuar sakrificat dhe përkushtimin e të gjitha grave në familje, shoqëri, në punë dhe kudo.

Edhe politika ka uruar sot për 8 Marsin, duke vlerësuar rolin e gruas në shoqëri.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, me rastin e 8 Marsit, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme, Suzana Hoxha, zhvilloi një takim dhe u shprehu falënderime punonjëseve të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë, me rastin e festës së 8 Marsit.

“Me përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat e përditshme, gratë në strukturat e sigurisë janë një shembull i fuqishëm i forcës dhe vendosmërisë.  U përcollëm urimet më të ngrohta, duke konfirmuar mbështetjen për fuqizimin e grave në çdo aspekt të jetës dhe karrierës. Gëzuar 8 Marsin, gjithë nënave e vajzave që me punë dhe përkushtim kontribuojnë për një shoqëri më të sigurt e më të drejtë!”, shkruan Hoxha.

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu shprehu urimet me rastin e 8 Marsit.

“Gëzuar 8 Marsin grave, që çdo ditë frymëzojnë, edukojnë dhe ndërtojnë të ardhmen, nga mësueset, pedagoget, që formojnë brezat e rinj, tek mjeket, infermieret, shkencëtaret, arkitektet, sportistet, gratë punëtore e profesionistet në çdo fushë! Gëzuar çdo gruaje që me forcën e shembullit, me këmbëngulje, sakrificë, përkushtim e vullnet, e bën të pamundurën, të mundur”, shkruan ministrja.

Në një postim në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, teksa uroi gratë me rastin e 8 Marsit, ka lajmëroi se sot transporti me autobus për gratë dhe vajzat do të jetë falas.

“Është 8 Marsi dhe u lashë porosi kolegëve të Bashkisë që, të gjitha nënat, zonjat, dhe vajzat, të cilat i japin çdo ditë kaq shumë nga dashuria, përkushtimi dhe këmbëngulja e tyre qytetit, të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e transportit urban të Bashkisë së Tiranës. Faleminderit për punën tuaj të jashtëzakonshme!”, shkruan ai.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook shkruan: “Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave dhe vajzave, forcës, dashurisë dhe frymëzimit të çdo dite!”.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›