Dita Ndërkombëtare e Miqësisë, rrëfimi i tre miqve për vlerat që mbajnë gjallë këtë lidhje

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë, vëmendja rikthehet te një nga vlerat më të rëndësishme njerëzore. Për tre miq shkodranë, përtej momenteve të përditshme, ata e shohin miqësinë si një mbështetje të vazhdueshme në çdo etapë të jetës.
“Miqtë janë shumicë e atyre që ne na rrethojnë, që na afrohen dhe që dëshirojmë të rrimë përherë me njëri-tjetrin. Kështu është edhe me shoqërinë tonë, këtu në kafe, për të ndarë me njëri-tjetrin hallet, për të diskutuar për probleme të ndryshme.” – tha Gjon Stefa, ish-skenograf
Lidhjet e ndërtuara me sinqeritet, besim dhe respekt janë ato që i rezistojnë kohës.
“Jena shokë qysh në klasë të gjashtë, domethënë 65 vjet përpara. Kjo tregon se miqësia ruhet, sepse njerëzit janë të sinqertë dhe kanë zemrën e mirë. Shpirti i mirë, zemra e mirë për mua janë miqësi të pastra dhe të sinqerta, si kjo jona që është regjistruar.” – tha Tonin Çekliqi, ish-mësues
Frano Gjergji ndan këndvështrimin e tij për miqësitë e sotme:
“Mendoj se pjesa qytetare e Shkodrës i ka mbetur miqësia e sinqertë, e trashëguar një mbas një. Shoqëria me bazë qytetare shkodrane ruhet, por brezi i ri sot e ka më sipërfaqësore.” – tha Frano Gjergji, ish-teknolog
Pavarësisht ritmit të jetës dhe ndryshimeve që sjell koha, miqësitë e ndërtuara mbi sinqeritetin dhe besimin mbeten një nga vlerat më të çmuara njerëzore.
Gazetare: B. Cina
/rtsh.al/