Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

PRISHTINË, 30 gusht /ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona.
Kur janë bërë 27 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, sipas Institutit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.
Përpjekjet për të përcaktuar fatin e personave që ende mungojnë nga konflikti në Kosovë duhet të mbesin gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejtat e njeriut dhe – mbi të gjitha – të fokusuara tek viktimat dhe familjet e tyre, thuhet në reagimin e UNMIK-ut për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, tha se me gjithë përparimin e konsiderueshëm, shumë persona vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e mosdijes për fatin e të zhdukurve.
“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet. Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë”, citohet Due në komunikatë.
Sipas UNMIK, mbi 1500 persona mbeten të zhdukur që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë. Gjetja e fundit e mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, që besohet t’u përkasin së paku 23 individëve, është një kujtesë e fuqishme se edhe pas dekadash pritjeje, përgjigjet mund të gjenden ende.
“Ne qëndrojmë pranë të gjitha familjeve që kanë pritur kaq gjatë për ndriçimin e fatit të tyre dhe bëjmë thirrje që të drejtat dhe nevojat e tyre të qëndrojnë në qendër të përpjekjeve. UNMIK-u do të vazhdon përkrahjen e ndihmës psikologjike dhe mënyrave të tjera të ndihmesës për këto familje.”, nënvizoi PSSP Due, duke vënë në pah se tematika e Ditës Ndërkombëtare të këtij viti është “Viktimat në rend të parë. Të veprohet tani”.
Ai nxit zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së mbi personat e zhdukur, angazhimin e vazhdueshëm përmes Grupit të punës për personat e zhdukur të udhëhequr nga KNKK, dhe përpjekjet e përbashkëta midis Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur dhe identifikuar të zhdukurit.
Kjo ditë përkujtimore gjithashtu shënon 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.
Në fund thuhet se, UNMIK do të vazhdojë të mbështesë familjet e personave të zhdukur në kërkimin e realizimit të të drejtës së tyre për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
/KosovaPress/