Dita Ndërkombëtare e Teatrit

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Prej vitit 1961, 27 marsi është kremtuar si Dita Botërore e Teatrit.
Dita Botërore e Teatrit festohet nga profesionistët e teatrit, organizatat teatrore, universitetet e teatrit dhe dashamirët e teatrit në të gjithë botën. Kjo ditë është një festë për ata që mund të shohin vlerën dhe rëndësinë e formës së këtij arti dhe vepron si një thirrje zgjimi për qeveritë, politikanët dhe institucionet që nuk e kanë njohur ende vlerën e tij, për njerëzit dhe për individin, dhe nuk e kanë kuptuar ende potencialin e tij për rritje ekonomike.
UNESCO dhe të tjera organizata të artit e kulturës në këtë ditë bëjnë thirrje për promovimin e teatrit në të gjitha format e tij.
I pari që shkroi një mesazh kushtuar teatrit në këtë ditë të shënuar (27 mars 1962), ka qenë francezi Jean Cocteau (Zhan Kokto), poet, dramaturg, regjisor e kritik arti me famë botërore. Më tej, çdo 27 mars një artist i famshëm do të shkruante mesazhin mbi teatrin drejtuar botës.
Këtë vit Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (ITI) ka përzgjedhur mesazhin e Theodoros Terzopoulos, regjisor i mirënjohur grek.
“A mund ta dëgjojë teatri thirrjen SOS që kohët tona po dërgojnë, në një botë qytetarësh të varfër, të mbyllur në qelitë e realitetit virtual, të ngulitur në privatësinë e tyre mbytëse? Në një botë të ekzistencave të robotizuara brenda një sistemi totalitar kontrolli dhe shtypjeje në të gjithë spektrin e jetës?”, kjo është një nga pyetjet e shumta që ngre regjisori grek, e të cilat siç e thotë ai, nuk pritet të kenë përgjigje definitive.
Teatri vjen nga greqishtja e vjeter “θέατρον”, theatron. Ai është një krijim dhe element i kulturës së lashtë greke që i ka fillimet e veta rreth shekullit VII para Krishtit.
/a.f/